Alibej rrëfen takimin e dyshimtë mes Abedin Mamës dhe Tonin Vocajt: Kisha hyrje-daljet, fotot dhe lëvizjet e të gjithëve — nga Çopjat te Qosja, tek Dumani!
Vijon dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej, në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, ku ai ka rrëfyer me detaje se si përmes rrjeteve të informatorëve dhe teknologjisë shtetërore, kishte ndërtuar një skemë monitorimi për rivalët e tij në botën e krimit.
Në seancën e fundit, Alibej deklaroi se Ardian Çollaku ishte burimi i tij më i besuar dhe përmes tij kishte mësuar për herë të parë se kush ishte Dashnor Dumani. “Ai më tregoi që vëllai i tij kishte grabitur një kambist në lagjen Kala”, tha Alibej.
Më tej, ai shtoi se kishte pasur akses në sistemin TIMS dhe e përdorte për të kontrolluar hyrje-daljet e personave që konsideronte të rrezikshëm për jetën e tij.
“Kisha hyrje-daljet, fotot dhe lëvizjet e të gjithëve — nga Çopjat te Qosja, tek Dumani”, u shpreh ai, duke shtuar se kishte filluar të humbte besimin tek institucionet e drejtësisë në Elbasan.
Ai përmendi edhe një takim të dyshimtë mes Abedin Mamës dhe Tonin Vocajt te stadiumi “Qemal Stafa”, që përkoi me ndërrimet e drejtuesve të Policisë, duke nënkuptuar ndikim të paligjshëm në zinxhirin drejtues.
“Unë po kërkoja ekzekutorët e familjarëve të mi. Kam bërë vetë hetuesin, prokurorin, gjyqtarin dhe i kam vënë në dispozicion drejtësisë çdo informacion”, tha Alibej, duke nënvizuar se që pas vetëdorëzimit, personi i parë që kishte informuar ishte drejtuesi i prokurorisë Leonard Palushi.
Në paraburgim, prokurori Ridvan Suka — i cili po hetonte vrasjet e familjarëve të tij dhe çështjen e Xhoni Rustës — ishte takuar me të.
“I tregova gjithçka që dija, nuk doja luftë, sepse pas meje ishin shumë familje që shikonin vetëm mua”, përfundoi ai.
DËSHMIA E ALIBEJT:
“Ardian Çollaku më ka treguar se kush ishte Dashnor Dumani. Dhe më thotë se ka pas lidhje me një grabitje në lagjen time në kala.
Në këtë periudhë, kisha sistemin “Times” dhe i verifikova vëllezërit Çopja, Altin Ndoci dhe të gjithë që kisha dyshime.
Më 5 Janar 2019 ishte larguar nga Shqipëria dhe këto të tjerët ishin në një ishull grek.
Unë po humbisja dhe besimin te institucionet dhe më thonë që Abedin Mana ka bërë takim me Tonin Vocajn te stadiumi “Qemal Stafa”.
Kur jam vetë-dorëzuar, i pari që kam takuar ka qenë Leonard Palushi, i kam treguar për autorët e vrasjes së vëllait.
Më vjen prokurori në ambientet e paraburgimit Ritvan Suka dhe i them çdo gjë që i kam thënë Leonard Palushit.
I thashë pse nuk e bashkon çështjen.
Para se të dorëzohesha i kam dhënë informacion 3 punonjësve të policisë: Krenarit, Leonardit dhe Avniut.
Më vinin info nga Bujar Sheta, Arjan Spahiu etj., për vrasjen e Vëllait.
Pasi kam folur para policisë, grupi ekzekutor kanë shkuar deri te fëmijët në shkolla, i kemi vënë në dispozicion edhe makinat dhe asnjë veprim nga policia".


