Kosova si strehë të burgosurish? Dashevci: Nuk cenohet siguria, përfitohen 200 mln euro nga Danimarka! Por ...
Danimarka ka konfirmuar dërgimin e të burgosurve në Kosovë, dhe të dënuarit e parë pritet të transferohen në pjesën e parë të vitit 2027.
Shërbimi danez i Burgjeve tha se institucioneve të Kosovës u janë dorëzuar kërkesa specifike për renovimin dhe përshtatjen e burgut të Gjilanit, duke përfshirë një ndërtesë të re për punësim dhe ambiente të reja për vizitorë.
Danimarka tha se kjo është një detyrë komplekse, pasi bëhet fjalë për një burg të Kosovës që duhet të funksionojë sipas rregullave daneze.
Por a i ka Kosova kushtet për t’u kthyer në një mega-burg të të dënuarve evropianë?
Për të kuptuar më shumë mbi këtë nismë të shtetit kosovar, i ftuar në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora News” ishte eksperti i sigurisë në Kosovë, Arben Dashevci.
“Në aspektin e sigurisë kjo nuk e cenon sigurinë e Kosovës. Por më duhet të them që në vitin 2024 është aprovuar kjo marrëveshje mes Danimarkës dhe Kosovës për këta 300 të burgosur.
Është një marrëveshje që parashikon që këta të burgosur do të jenë në një institucion të mbyllur, nuk do të jenë persona të dënuar për terrorizëm apo krime lufte, por janë kriminelë të formave të tjera.
Është një burg që administrohet nga Danimarka, ndërsa Republika e Kosovës do të përfitojë nga kjo 200 milionë euro, por mendoj se Qeveria në këtë aspekt duhet të lobojë, sepse vendi yt është nën sanksione dhe ajo duhet të lobojë tek Danimarka që të aktivizohet në aspektin diplomatik, në mënyrë që të ketë një nismë për heqjen e këtyre sanksioneve apo edhe të njohjeve të reja të shtetit të Kosovës.
Dhe të mos bëhemi ne si Kosovë vendi i të burgosurve të vendeve të ndryshme”, u shpreh ndër të tjera eksperti i sigurisë Arben Dashevci.
NDIQNI MË POSHTË INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E SIGURISË ARBEN DASHEVCI

