Albulena Haxhiu nuk përjashton mundësinë e dy palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë në Kosovë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se nuk përjashtohet situata ku mund të mbahen dy palë zgjedhje në të njëjtën kohë.
Ajo tha se nuk janë kundër si Lëvizje Vetëvendosje, por sipas saj nëse nuk arrihet konstituimi i Kuvendit, atëherë kjo është e vetmja zgjidhje.
E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare tha se opozita e deritanishme nuk po e pranon rezultatin e zgjedhjeve.
“Duke pasur parasysh që mungon vullneti i opozitës, duket nganjëherë që as nuk e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Me këtë qasje të shkon mendja nganjëherë mos edhe nuk e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit por nuk mund ta thonë si qëndrim.
Sot kemi ftesë nga presidentja Vjosa Osmani në orën 14:00, të flasim për datën e mundshme të zgjedhjeve lokale. Ne do të jemi të pranishëm në këtë takim. Besoj që është e rëndësishme që partitë politike të dëgjohen dhe të shohim cilat janë propozimet e tyre për datën e mundshme të zgjedhjeve lokale.
Por nuk përjashtohet situata ku mund të mbahen të dyja bashkë, ne nuk jemi kundër si LVV, nuk është ky qëndrimi ynë primar. Por në qoftë se mbahet peng dhe nuk konstituohet kuvendi, atëherë e vetmja zgjidhje tjetër janë zgjedhjet”, deklaroi ajo.
Deputetja Albulena Haxhiu tha se “ka inat të pakuptueshëm që qëllimi është pamundësimi i Qeverisë Kurti 3”.
“Ka një inat që është i pakuptueshëm, që nuk i bën mirë vendit sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës të marrin pjesë në votim dhe jo të vijnë dhe të mos veprojnë asgjë, pra mos të marrin pjesë në votim. Qëllimi është që të pamundësohet Qeveria Kurti 3”, shtoi ajo.
Kuvendi ka dështuar sot të konstituohet edhe pas tentimit të 26-të. /KosovaPress/

