I dënuar me burgim të përjetshëm në Hagë, Ratko Mlladiç kërkon lirimin e tij: Më kanë mbetur edhe disa muaj jetë!

Ish-udhëheqësi ushtarak serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Hagë pasi u shpall fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, po kërkon të lirohet nga burgu për arsye shëndetësore, duke pretenduar se i kanë mbetur vetëm disa muaj jetë.

Mlladiç, tani mbi 80 vjeç, u dënua në mënyrë të pakthyeshme në vitin 2021 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, kryesisht për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës, ku forcat serbe të Bosnjës vranë 8,000 burra dhe djem myslimanë në korrik 1995.

Ish-udhëheqësi ushtarak serb i Bosnjës ishte në kërkim për 16 vjet dhe u arrestua në vitin 2011 në Serbi. Sipas kërkesës së paraqitur nga avokati i tij, ai vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe jetëgjatësia e tij është disa muaj. Të afërmit e tij kanë deklaruar për vite me radhë se ai është i sëmurë dhe i dobët. Ai kishte kërkuar lirim me kusht në vitin 2017, duke përmendur përsëri arsye shëndetësore.

Avokati i tij deklaron në kërkesën e tij se edhe pse shërbimi mjekësor i burgjeve të Kombeve të Bashkuara dukej i ngurruar të shprehte me shkrim një vlerësim përfundimtar të jetëgjatësisë së tij, është e padiskutueshme që zoti Mlladiç po i afrohet fundit të jetës së tij dhe kërkon lirimin e tij "për arsye humanitare".

Djali i tij, Darko Mladiç, në intervistat e tij të shpeshta me mediat serbe, flet për shëndetin e dobët të babait të tij. Disa serbë ende e konsiderojnë Rako Mladiçin një hero lufte, dhe emri i tij, apo edhe portretet e tij, shpesh shfaqen në muret e kryeqytetit, Beograd. Sipas Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Serbi, më shumë se 250 referenca (portrete ose grafite) të Mladiçit u regjistruan në qytet që nga marsi i vitit 2023. Disa prej tyre, vetëm pak metra nga Sheshi qendror i Republikës, shoqërohen me mbishkrime që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë.