"Shpella e Dianës", një nga perlat e bukurisë së artit të rilindjes italiane, pasuri e UNESCO-s
Shpella e Dianës është një nga ato perlat e bukurisë së artit të rilindjes italiane që gjen shkëlqimin e 1500 falë ndjeshmërisë së shtëpisë së njohur të modës, Fendi.
Pak kilometra larg Romës gjen këtë vend unik pasuri e UNESCO-s ku arti e natyra vihen në shërbim të një arkitekture madhështore sa e rrallë aq dhe historike. Dedikuar Dea-s antike, kjo shpellë i rikthehet publikut në ngjyrat, format, mozaikët, figurat e historinë e saj.
Një mozaik pllakash pikturuar me shqiponja, zambakë, limona, degë e gjethe, të orientojnë në faqe muresh si qilima të qëndisur mbushur me krijesa të mrekullueshme mitologjike, fruta, pemë e koreografi perëndish që formojnë skenografinë mikpritëse të Shpellës së Dianës, një kryevepër arti e realizuar më shekullin e 15 e që pas gjysmë shekulli e mbyllur i ofrohet publikut në shkëlqimin e një restaurimi që ka kushtuar rreth 2 milionë euro e financuar nga FENDI, brandi i njohur i modës Made in Italy, simboli i suksesit botëror të sipërmarrjes femërore italiane.
"Shpella e Dianës" është një nga vendet më magjike të artit italian, pozicionuar në Villa D'Este të Tivolit, pasuri e UNESCO-s dhe e projektuar më 1570-1572, nga arkitekti Paolo Calandrino nën kërkesën e Kardinalit Ippolito D'Este, i cili ia dedikoi Dianës, Deas italike, latine, romake, zonjës së pyjeve, e përrenjve, burimeve, e kafshëve të egra, por dhe mbrojtësja së grave në pritje të ëmbël e simbol i ndershmërisë e dëlirësisë.
Shpella e Dianës është e pozicionuar në pjesën e sipërme të Vilës, përgjatë "Shëtitores së Kardinalit", vend i preferuar i pronarit të saj Ippolito D'Este.
Villa D'Este e Tivoli gjendet pak kilometra larg Romës, një ndërtesë e Rilindjes italiane rrethuar nga kopshte unike të një arkitekture tipike italiane ku uji është elementi lidhës i çdo ambienti.
Historia rrëfen se kjo Vilë u ndërtua pas zhgënjimit që Kardinali Ippolito d'Este mori nga mos zgjedhja e tij Papë.
Me nisjen e Papatit Giulio III, Kardinali Ippolito D'Este u emërua guvernator i përjetshëm i Tivolit e madhështia e shkëlqimi që ëndërronte i dha idenë e ndërtimit të kësaj vile gjigande në këmbët e Maleve Tiburtini, rrethuar nga gjelbërimi, ujëvara, nimfa, burime uji, shpella e melondi hidraulike. Kjo e fundit gjendet në një nga vendet më të magjishme të vilës, në shatërvanin e Organos, ku një sistem hidraulik krijon një melodi notash muzikore pas çdo rrjedhje uji.
Mes kopshtit të Villa D'Este gjendet shatërvani i 100 çezmave që risjell thënien e kardinalit të Vilës -"do të sjell Romën në Tivoli".
Shatërvani i Tivolit përfaqëson tre lumenjtë që burojnë nga Malet Tiburtini; Aniene, Erculaneo e Albuneo që rrjedhin deri në Shatërvanin e Romës me arkitekturën e tij 7 kodrat e evokon historinë mbi të cilat është ngritur kryeqyteti italian.
Më 2001 Villa D'Estre hyn ndër Pasuritë e Trashëgimisë Botërore duke i njohur se arkitektura e saj baroke e rilindase ndikoi thellë në projektimin e zhvillimin e kopshteve në të gjithë Evropën.
Një vlerë të shtuar i jep kësaj Vile "Shpella e Dianës" restaurimi i së cilës nxjerr në pah bukurinë madhështore e projektin e sofistikuar kulturor mbi të cilin është ndërtuar.
Historia e artit nuk është gjë tjetër vetëm një proces njohës që ushqehet me studime, zbulime, restaurime e që i lihet në trashëgimi brezave.
E tillë është dhe puna restauruese e Shpellës së Dianës risjellë në shkëlqimin e saj të hershëm mes bukurisë së padiskutueshme të pasurisë së UNESCO-s.
Ky rivlerësim e rijetësim i kësaj trashëgime nuk do të ishte i mundur pa zemërgjerësinë e investimit të Fendi, një prej brandave më të njohura të modës botërore.
"Restaurimi i Shpellës së Dianës në Vila D'Este është një akt dashurie për Fendin, shprehet Silvia Venturini, drejtoresha artistike e kompanisë, është një nga punët e fundit të kryera gjatë 100 vitesh histori të Fendit, i një udhëtimi shekullor në mbrojtje e vlerësimi të trashëgimisë kulturore italiane."
Restaurimi i shpellës ka qenë një proces kompleks duke synuar ruajtjen e estetikës origjinale e mbi të gjitha mbrojtën e çdo elementi të shpellës.
Punimet që nisën më vjeshtë të 2023 e përfunduan pak ditë më parë, u bazuan në ekzaminimin e çdo sipërfaqeje të saj e projektuar në formë kryqi me materiale që shfaqeshin seriozisht të kompromentuara dhe skulptura që rrezikonin për shkak të bazamenteve të oksiduara e me boshllëqe. Ndërsa materialet dekorative ishin dëmtuar keq nga kushtet mjedisore bashkë me mozaikët e pllakat prej qeramike", shprehet ajo.
Sot Shpella e Dianës është një vend parajse që e arrin pasi shëtit ambientet e brendshme të Vilës e për të zbritur më pas drejt kopshtit të saj magjik duke shijuar panoramën magjepse të natyrës romane.
Porta hyrëse të fton drejt një ambienti dedikuar kënaqësisë fizike e shpirtërore, relaksit e qetësisë e ku arti e natyra janë në simbiozë perfekte në shërbim të njeriut.
