Irani njofton se nuk do të heqë dorë nga programi i pasurimit të uraniumit
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei tha sot se Irani nuk do të hiqte dorë nga programi i tij i pavarur i pasurimit të uraniumit – në asnjë rrethanë – edhe nëse krijohej një konsorcium rajonal bërthamor.
“Pika thelbësore është se konsorciumi nuk është një alternativë dhe nuk mund të zëvendësojë pasurimin e uraniumit në vend”, tha Baghaei, sipas agjencisë së lajmeve “Tasnim”.
Ai nuk pranoi të komentonte nëse kjo kërkesë ishte përfshirë në propozimin e fundit të bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Iranin. Raportet e pakonfirmuara sugjerojnë se SHBA-ja ka kërkuar një ndalesë të plotë të pasurimit të uraniumit nga Irani – në një propozim me shkrim drejtuar Teheranit.
Në këmbim, Uashingtoni thuhet se i ka ofruar vendit përdorimin civil të teknologjisë bërthamore, përfshirë pasurimin e uraniumit, brenda kornizës së një konsorciumi rajonal nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Baghaei tha se Irani do të jepte një përgjigje të përshtatshme ndaj propozimit të SHBA-së në kohën e duhur.
“Deri atëherë, vendi do të këmbëngulë si në pasurimin e vet të uraniumit ashtu edhe në heqjen e sanksioneve të SHBA-së në raundin tjetër të negociatave”, tha ai.
