Festë në Parkun Arkeologjik të Amantias

Për festën e 1 qershorit, Parku Arkeologjik i Amantias u mbush me jetë, ngjyra dhe emocione, në një festë të paharrueshme për fëmijët dhe familjet.

Aktiviteti “Fëmijët në Gjurmët e Amantias” solli një ditë të mbushur me lojëra popullore, polifoni, sport, gatime tradicionale dhe aktivitete për të gjitha moshat.

“Një ndërthurje magjike mes trashëgimisë dhe fëmijërisë”, e cilësoi këtë veprimtari Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, e cila bëri publik edhe një album të pasur fotografik.

Kjo nismë, e cila tashmë po kthehet në një traditë të bukur, jo vetëm që forcon lidhjet mes komunitetit lokal, por shërben edhe si një promovim dinjitoz i vlerave të çmuara që mbart Amantia mijëravjeçare.

Festa përfshiu aktivitete sportive, këngë polifonike si dhe panairin ku u prezantuan tradita, artizanati dhe gatimet tipike të zonës.

Kryetari i bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, theksoi rëndësinë e kësaj feste, për vazhdimin e traditës por edhe promovimin e zonës tek të huajt.

Ndërsa drejtori i DRTK Vlorë, Orgest Feimi tha se, numri i vizitorëve ka qenë gjithnjë në rritje dhe se për këtë ka ndikuar edhe fakti që në Amantia janë kryer zbulime të reja që kanë ngjallur interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj.