Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret” çel siparin në Berat

Në qytetin e Beratit nisi mbrëmjen e djeshme edicioni i 5-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret”.

Artdashësit  e vegjël beratas, të shoqëruar nga prindërit e tyre duartrokitën artistët e teatrit të  Kukësit, i cili ishte i pari që performoi shfaqjen “Pjata e drunjtë”.

Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha për ATSH-në se “ky festival bën të mundur edukimin e fëmijëve nëpërmjet teatrit, duke shkëmbyer kështu kulturën dhe traditat”.

“Në këtë festival marrin fëmijët e qytetit i Kukësit, Dimalit, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës dhe Beratit, të cilët me talentin e tyre do të ngjisin në skenë pjesë të ndryshme teatrore”, tha Merdani.

Sipas saj, festivali ka si qëllim promovimin dhe nxitjen e artistëve të vegjël dhe qendrave kulturore për fëmijë të të gjithë Shqipërisë, si nevojë e përbashkët e edukimit të brezave të rinj me artin dhe kulturën shqiptare.

Juria e përbërë nga aktorët Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Yllka Mujo dhe Mimoza Marjanaku do të japin vlerësimin për trupën fituese në natën finale, më 4 qershor.

Mbrëmjen e sotme do të ngjiten në skenë fëmijët e Dimalit dhe Elbasanit, ndërsa nesër Vlora, Shkodra dhe Berati. Ky festival organizohet nga Drejtoria e Turizmit dhe Aktiviteteve, bashkia Berat.