“Qershi mbi art dhe trashëgimi”, promovim traditës dhe kulinarisë në Kolanec
“Qershi mbi art dhe trashëgimi” titullohet festa e organizuar këtë fundjavë në fshatin Kolanec të bashkisë së Maliqit.
Ky është edicioni i parë i kësaj feste në Kolanec dhe ka për synim të kthehet në një traditë të përvitshme për të promovuar një nga vendet me natyrën më të bukur të bashkisë Maliq.
Kryetari i bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu tha se “Kolaneci është një nga fshatrat më të bukur të bashkisë Maliq, jo vetëm për natyrën, por edhe traditën dhe historinë. E meritonte Kolaneci këtë festë dhe shpresojmë të jetë ky një fillim i mbarë”.
Amvisat e zonës prezantuan traditën e kulinarisë dhe atë artizanale në një panair të organizuar me këtë rast, duke synuar ruajtjen e traditës dhe për ta kthyer Kolanecin në një atraksion turistik.
Në këtë aktivitet interpretuan emra të njohur të muzikës si Eranda Libohova dhe Kozma Dushi, si dhe performuan Ansambli Skënderbeu dhe grupi polifonik Agimi.
“Qershi mbi art dhe trashëgimi” shënon një hap të rëndësishëm drejt vlerësimit të potencialit turistik dhe kulturor të Kolanecit dhe pritet të shndërrohet në një festë tradicionale të përvitshme, për të mbledhur gjithnjë e më shumë vizitorë.
