EMRI/ Humbi jetën pranë Shkëmbit të Kavajës, turisti u lejua të merrte Jet Ski pa pasur leje drejtimi, arrestohet operatori turistik

Arrestohet personi që u dha motorin e ujit turistikëve anglezë, i identifikuar si Luis Xhumari. Policia e Durrësit ka thelluar hetimet në lidhje me aksidentin që ndodhi paraditen e djeshme në det, ku humbi jetën një 34-vjeçar.

Arrestimi i tij është bërë për shkak të mungesës së plotë të dokumentacionit për ushtrimin e aktivitetit dhe mos-pajisjes me veshjen e sigurisë.

Çifti anglez kishte ardhur për pushime në Shqipëri me një grup kolegësh. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, pasi morën motorin e ujit dhe u larguan në thellësi, por jo në distancë të madhe nga bregu i detit, ata kryen manovra me shpejtësi dhe për pasojë ranë në det.

Skena është dalluar nga bregu dhe kanë qenë pushuesit që kanë telefonuar policinë.

Dyshimet për vdekje nga hipotermia kanë rënë, pasi shtetasit në fjalë kanë qëndruar pak minuta në ujë. Ende nuk është kryer ekspertiza, por dyshimet janë se shtetasi 34-vjeçar ka humbur jetën pasi është mbytur. Nuk përjashtohet as mundësia e përsëritjes së arrestit kardiak nga lodhja gjatë tentativës për të shpëtuar nga mbytja.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin L. Xh., 56 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.  

Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, përballë  shkëmbit i Kavajës, rezultoi se shtetasi L. Xh., iu ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, shtetasve S. O. dhe V. B., të cilët nuk kanë qenë të pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh lundruese dhe nuk i ka pajisur me skafandra.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit R. M., 61 vjeç,  banues në Tiranë dhe J. H., 31 vjeç, banues në fshatin Hamallaj, pasi u konstatuan duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.