PSG në festë, Al Khelaifi me lot në sy: Fjeta me trofeun e Champions-it, ende nuk më besohet
Ishte një fitore shkatërruese ajo e PSG-së ndaj Interit në finalen e Champions League, luajtur të shtunën në Mynih. Një “manita” (5-0) që do të mbetet në histori si humbja më e rëndë ndonjëherë në një finale të këtij kompeticioni dhe si finalja e dytë e humbur nga Simone Inzaghi e zikaltrit, pas asaj në Stamboll më 2023.
Në anën tjetër, Parisi festoi për një arritje historike, tirumfin e parë në Champions League, në historinë e klubit. Presidenti i PSG-së, Nasser Al Khelaifi, foli për mediat franceze (TF1) mes emocioneve, ndërsa skuadra e Luis Enrique po arrinte në Elize:
"Ndihem shumë i lumtur, krenar. Gati nuk më besohet, por gjithçka kemi bërë është për popullin e Parisit. Kemi punuar shumë për këtë, 14 vite punë për këtë trofe. Sinqerisht, nuk ka qenë aspak e lehtë për të arritur këtu. Është diçka e mrekullueshme, vetëm futbolli mund ta bëjë këtë. Ky sezon ishte vërtet i veçantë për PSG.
Nëse do ta kishim fituar më herët, ndoshta nuk do ta ndjenim kështu. Me gjithçka që kemi bërë në këto 14 vite, ky është shpërblimi i merituar, më në fund. Ishte triumf shumë i rëndësishëm për Parisin, për Francën. Nuk flitet vetëm për PSG-në, por për gjithë vendin. Ne mbajmë flamurin francez në fanellë dhe jemi krenarë për këtë".
Në fund, një detaj simpatik dhe personal: "Të shtunën mbrëma kam fjetur me kupën. I thashë vetes ndoshta është një ëndërr dhe kur u zgjova e kuptova: jo, është e vërtetë.
Ishte shumë e rëndësishme për Francën, për futbollin francez, që është kritikuar shpesh. Ne kemi kampionatin më të mirë, kemi presidentin më të mirë të ligës, Vincent Labrune, i cili u kritikua, por punoi me ne. Dhe tani duam të fitojmë përsëri".

