Meloni: Nuk ka nevojë për apele për feminicidet, unë jam këtu. Vështirësi në të kuptuarit e shqetësimeve të të rinjve

Tragjedia e Afragolës – ku 14-vjeçarja Martina Carbonaro u vra nga ish-i dashuri i saj, më la pa frymë, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

“Lidhur me çështjen e dhunës kemi punuar shumë. Por, ndonjëherë ndihesh vërtet i çarmatosur, nuk di si ta them, sepse ne i kemi bërë ligjet, por çështja është më e gjerë dhe ndoshta as nuk po e kuptojmë plotësisht”, tha ajo.

“Ne rrezikojmë të mos e kuptojmë se çfarë po u ndodh brezave të rinj. Ne jemi brezi i parë i prindërve që po rritim fëmijë plotësisht digjitalë, bota në të cilën jetojnë nuk është bota në të cilën jetonim ne si fëmijë. Ndoshta, nuk jemi as të aftë të kuptojmë se çfarë po ndodh, rreziqet në të cilat ata jetojnë”, tha Meloni.

“E pranoj se nuk i kam përgjigjet, por nëse nuk i bëjmë vetes pyetje, nuk mund t’i gjejmë”, shtoi ajo.

Ditët e fundit, sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein i bëri një apel Melonit: “Le të ulemi menjëherë në tavolinë dhe të diskutojmë”.

“Nuk ka nevojë për apele për feminicidet. Unë jam këtu”, tha Meloni duke iu përgjigjur Schlein.

“Po i shkruaj një letër Komisionit dydhomësh për Fëmijërinë që t’u kërkojë sërish të gjitha forcave politike, të punojnë së bashku, të mendojnë së bashku dhe të ulen”, tha Meloni.

“Përtej debatit mbi origjinën e idesë, Partia Demokratike është e gatshme. Por, tani na duhen veprime konkrete, fjalët nuk janë të mjaftueshme”, theksoi deputetja Michela Di Biase – duke përmendur propozimet e Partisë Demokratike për të forcuar edukimin efektiv në shkolla, për të mbështetur psikologjikisht vajzat dhe djemtë më të brishtë dhe për të promovuar një kulturë respekti.

Pavarësisht thirrjeve dypartiake për bashkëpunim, tragjedia e Afragolës ka nxitur edhe polemika politike.