Holandë / Jahti gjigant i miliarderit amerikan kalon me vështirësi në urën e fshatit Woubrugge
Pamje të rralla po bëjnë xhiron e rrjetit nga fshati holandez Woubrugge, ku një jaht superluksoz rreth 100 metra i gjatë, në pronësi të miliarderit amerikan dhe ish-drejtorit ekzekutiv të Starbucks, Howard Schultz, u pa duke kaluar nëpër një kanal të ngushtë, i ndihmuar nga dy rimorkiatorë.
Jahti me vlerë 150 milionë paund, i quajtur Pi, u vu në lëvizje të mërkurën rreth orës 8 të mëngjesit me orën lokale dhe kalimi i tij përmes kanaleve të ngushta të fshatit tërhoqi një turmë të madhe banorësh, të cilët u mblodhën për të parë nga afër këtë spektakël të rrallë lundrimi.
Për të mundësuar kalimin e jahtit, ura Woubrugsebrug mbi kanalin e fshatit u mbajt e hapur për rreth 40 minuta, ndërsa anija gjigante përparonte ngadalë në drejtim të qytetit Alphen aan den Rijn, vetëm 7.5 kilometra më tej.
Fotot tregojnë jahtin duke lundruar mes ndërtesave dhe shtëpive tradicionale të zonës, me përmasat e tij mbresëlënëse që duken si të vendosura në një skenë filmi futuristik.
“Pyes veten si duket nga brenda. Mendoj se është një parajsë luksoze,” u shpreh një grua për mediat lokale, teksa vështronte nga afër mjetin lundrues.
Pi, i cili është ndërtuar nga kompania gjermane Feadship, ka fituar dy çmime prestigjioze në World Superyacht Awards 2019, ku u nderua si ‘Jahti Motorik i Vitit’ dhe ‘Jahti më i Mirë me Zhvendosje midis 1,500GT dhe 1,999GT’.