Trump akuzon sërish Kinën: Bëra një marrëveshje për t’i shpëtuar, por ata e shkelën
Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një tjetër sulm të ashpër ndaj Kinës, përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, ku e akuzon Pekinin se ka shkelur marrëveshjen tregtare të arritur me Shtetet e Bashkuara.
Sipas Trump, marrëveshja ishte arritur për të shmangur kolapsin ekonomik të Kinës pas vendosjes së tarifave të larta nga SHBA, por sipas tij, pala kineze nuk e ka respektuar.
“Dy javë më parë, Kina ishte në një krizë të thellë ekonomike! Tarifat shumë të larta që vendosa bënë pothuajse të pamundur hyrjen tregtare të Kinës në tregun amerikan, që është më i madhi në botë. Praktikisht, u shkëputëm totalisht nga Kina, gjë që ishte katastrofike për ta. Shumë fabrika u mbyllën dhe pati edhe trazira të brendshme,” shkruan Trump.
Ai pretendon se ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
“Nuk më pëlqeu ajo që po ndodhte – për ta, jo për ne. Ndaj bëra një marrëveshje të shpejtë për t’i shpëtuar nga ajo që mendoja se do të ishte një situatë shumë e keqe. Falë kësaj marrëveshjeje, gjithçka u stabilizua dhe Kina rifilloi funksionimin normal. Të gjithë ishin të kënaqur,” shton ish-presidenti.
Por sipas Trump, marrëveshja nuk u respektua nga Kina, e cila, sipas tij, e ka shkelur tërësisht.
“Lajmi i keq është se Kina, siç ndoshta nuk përbën surprizë për disa, e ka shkelur plotësisht marrëveshjen me ne. Aq shumë për të qenë ‘z. Djalë i Mirë’!”, përfundon Trump në reagimin e tij.
Deklarata e Trump vjen në një kohë kur marrëdhëniet SHBA-Kinë vazhdojnë të jenë të tensionuara për shkak të çështjeve tregtare, teknologjike dhe gjeopolitike.
