1000 indianë të deportuar nga SHBA/ Ministria e jashtme kërkon bashkëpunim për studentët

Më shumë se një mijë shtetas indianë janë deportuar ose janë kthyer vullnetarisht nga Shtetet e Bashkuara në vendin e tyre që prej fillimit të këtij viti.

Njoftimin e ka dhënë vetë Ministria e Jashtme e Indisë, duke theksuar një rritje të ndjeshme të veprimeve të autoriteteve amerikane ndaj migrantëve pa dokumente.

Institucioni deklaroi se rreth 62% e tyre janë kthyer me fluturime komerciale, ndërsa pjesa tjetër me mjete të tjera, përfshirë edhe fluturime të organizuara nga autoritetet amerikane.

Kthimet janë bërë në përputhje me protokollet ndërkombëtare, pasi India verifikon me kujdes kombësinë e çdo individi para se të pranojë rikthimin e tij.

Deportimet vijnë në kuadër të një fushate më të ashpër ndaj migracionit ilegal, e cila është përforcuar nga administrata e presidentit Donald Trump, i cili ka theksuar në mënyrë të përsëritur nevojën për rikthimin e rendit në kufijtë e SHBA.

Sipas burimeve amerikane, numri i përgjithshëm i shtetasve indianë të identifikuar si të pranishëm në mënyrë të paligjshme në SHBA llogaritet të jetë rreth 18,000 – një shifër që ka ngritur shqetësime si në Uashington ashtu edhe në New Delhi për nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë në çështjet e migracionit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Një reagim e patën edhe për politikat e reja të vizave për studentët ndërkombëtarë.

"E kuptojmë se lëshimi i vizave është një funksion sovran i një shteti, ne shpresojmë që aplikimet e studentëve indianë të vlerësohen në bazë të meritës dhe synimeve të tyre akademike. Është e rëndësishme që këta të rinj të mos pengohen në rrugëtimin drejt dijes dhe zhvillimit personal, deklaroi ministria.

Vetëm në vitin akademik 2023–2024, më shumë se 330,000 studentë indianë kanë ndjekur studimet në universitete amerikane – një shifër rekord që tregon lidhjet e forta arsimore mes dy vendeve.