Përmbytjet rrezikojnë minierën e kripës në Rumani/ Shteti me një nga rezervat më të mëdha të kripës në Evropë
Përmbytjet e mëdha në Rumani po kërcënojnë të shkatërrojnë minierën e kripës Praid, një nga rezervat më të mëdha të kripës në Evropë, e cila tërheq gjysmë milioni turistë çdo vit.
Autoritetet e kanë mbyllur minierën, pasi përmbytjet më të këqija në 30 vjet në qarkun qendror rumun të Harghitës po bëjnë që një përrua aty pranë të jetë afër kufijve të daljes nga shtrati, duke përmbytur më tej një pjesë të minierës.
“Këtu, të gjithë janë të lidhur me minierën e kripës, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Ose punojnë këtu, ose në turizëm, ose e kanë ndërtuar jetesën rreth saj. Pra, një problem me minierën e kripës mund të ketë pasoja katastrofike për të gjithë rajonin”, shprehet Csongor Zsombori, kontabilist.
Laszlo Nyagrus, kryebashkiaku i Praidit, shprehet se minatorët kanë hequr pajisjet dhe makineritë e tyre dhe po punojnë për të ruajtur një pjesë tjetër të minierës, e cila deri më tani nuk ka qenë e hapur për vizitorët.
“Minatorët po përpiqen ta shpëtojnë këtë zonë, duke ndërtuar të ashtuquajturat diga dhe kanale për ta mbrojtur atë, në mënyrë që të paktën kjo pjesë të mos dëmtohet. Duhet të shqyrtojmë se çfarë mund të bëhet shumë shpejt në sektorin e turizmit, cilat mundësi mund të eksplorohen, në mënyrë që të mbajmë sa më shumë turistë në Praid“, thotë kryebashkiaku.
Por shumë prej banorëve ndihen të shqetësuar, pasi përmbytjet mund të shkatërrojnë gjithçka me të cilën ata mbajnë jetesën e tyre.
“Po kërkojmë ndihmë, që dikush të vijë dhe të shohë se çfarë mund të bëhet. Na duhet një ekspert, dikush që të na sigurojë, të na tregojë nëse mund të qëndrojmë apo duhet të largohemi”, thotë një prej tyre.
“Nuk jemi të informuar për asnjë masë sigurie. Nuk jemi të sigurt. Askush nuk po vjen të na tregojë nëse do të ketë rrezik apo jo. Ka shumë fëmijë këtu, prindër të moshuar, persona me aftësi të kufizuara. Thënë thjesht, jemi shumë të frikësuar”, shprehet një tjetër.
Ndërsa një pjesë e minierës ka prodhuar kripë, me një kapacitet prodhimi vjetor prej rreth 70,000-100,000 tonë, galeritë e saj të mëdha, të cilat kanë edhe një qendër mjekësore, presin turistë, përfshirë ata për trajtim mjekësor për sëmundjet e frymëmarrjes.
