Studim: Ndryshimet klimatike dyfishuan ditët me vapë ekstreme në 195 vende gjatë vitit të kaluar
Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore kanë rritur ndjeshëm numrin e ditëve me vapë ekstreme në mbarë botën, duke vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e miliarda njerëzve. Një analizë e re nga World Weather Attribution, Climate Central dhe Qendra e Klimës së Kryqit të Kuq tregon se në 195 vende, ndryshimet klimatike kanë dyfishuar ditët e temperaturave ekstreme gjatë periudhës maj 2024 - maj 2025.
Sipas studimit, për rreth gjysmën e popullsisë globale – afro katër miliardë njerëz – kjo do të thotë përjetimi i mesatarisht 30 ditëve shtesë me nxehtësi ekstreme. Ekspertët identifikojnë si shkaktar kryesor emetimet nga lëndët djegëse fosile, të cilat po e intensifikojnë ngrohjen globale në nivele të rrezikshme.
Studiuesit përkufizuan “nxehtësinë ekstreme” si ditët që tejkalojnë 90 përqindëshin e temperaturave mesatare për periudhën 1991–2020, dhe përdorën modele klimatike për të simuluar një botë pa ndikimin e njeriut. Rezultatet zbuluan diferenca të mëdha: Aruba përjetoi 187 ditë me vapë ekstreme, ndërsa pa ndikimin e njeriut kjo shifër do të ishte vetëm 45.
Në total, u identifikuan 67 ngjarje ekstreme të nxehtësisë në shkallë globale, me raste të theksuara në Azi, Afrikë, Amerikën Qendrore dhe Mesdhe. Në çdo rast, ndikimi i ndryshimeve klimatike rezultoi thelbësor në përforcimin e valëve të të nxehtit.
Evropa ndërkohë po përballet me pasoja të dukshme e vdekjeprurëse. Në vitin 2024, valët e të nxehtit dhe zjarret e shpeshta sollën mbi 47 mijë viktima. Rajone si Greqia, Spanja dhe Italia u detyruan të ndërpresin shërbimet publike, mbyllën shkolla dhe evakuuan turistët nga zonat më të goditura.
Ekspertët parashikojnë se, nëse trendi vazhdon, deri në fund të shekullit Evropa mund të regjistrojë 23 milionë vdekje të lidhura me temperaturat. Ndërkohë, 83 për qind e fëmijëve pesëvjeçarë pritet të përballen me valë të nxehti shumë më të forta dhe më të shpeshta sesa brezat e mëparshëm.
Studiuesit paralajmërojnë se kriza klimatike nuk njeh kufij dhe se nxehtësia është pasoja më vdekjeprurëse, por njëkohësisht më e nënvlerësuar e saj. “Nuk ka vend në Tokë të paprekur – dhe miliarda janë në rrezik të drejtpërdrejtë”, deklaroi Dr. Kristina Dahl nga Climate Central.
Ky studim vjen si një thirrje urgjente për veprim konkret përpara Ditës Ndërkombëtare të Veprimit Kundër Nxehtësisë, më 2 qershor.
