KAS shqyrton kërkesën e PD për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun Dibër
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ka nisur sot shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në qarkun e Dibrës.
PD shprehet se procesi zgjedhor në këtë qark është shoqëruar me një sërë shkeljesh të rënda, që nga përfshirja e administratës publike dhe përdorimi i patronazhistëve, deri te blerja e votës dhe intimidimi i votuesve.
Në ankimimin e dorëzuar në KQZ, përfaqësuesit e opozitës evidentojnë praninë e drejtorëve të institucioneve shtetërore në qendrat e votimit, të cilët akuzohen për ushtrim presioni ndaj qytetarëve në favor të Partisë Socialiste.
Po ashtu, PD thekson se në të katërta bashkitë e qarkut – Dibër, Bulqizë, Klos dhe Mat – është vërejtur një sistem i mirëorganizuar i ndikimit politik, që ka ndikuar mbi vullnetin e lirë të zgjedhësve.
Demokratët argumentojnë se mungesa e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse dhe qëndrimi pasiv i KQZ-së dhe policisë përballë shkeljeve të raportuara kanë cenuar ndjeshëm besueshmërinë e procesit. Ata kërkojnë që KAS të marrë në konsideratë provat dhe dëshmitë e paraqitura, dhe të shpallë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Dibër, duke kërkuar përsëritjen e tyre.
