AKU konfirmon se vezët e përdorura në kopshtin e Gramshit ishin kontaminuara me salmonelë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfirmuar se vezët e përdorura në Kopshtin nr.1 në Gramsh kanë rezultuar të kontaminuara me salmonelë.

Nga analizat e AKU-së, më parë rezultoi se mishi i pulës dhe qumështi rezultuan negativ. Nga 79 persona të testuar, 17 rezultuan pozitivë, përfshirë 16 fëmijë dhe psikologen e kopshtit. Aktualisht 6 fëmijë trajtohen në shtëpi dhe ndodhen në gjendje të mirë.

AKU ka pezulluar aktivitetin e kopshtit deri në përfundimin e dezinfektimit dhe analizave. Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të infektimit.

Në reagimin e saj Bashkia e Gramshit sqaroi funksionimin e regjimit ushqimor në kopsht, shprehu kujdesin ndaj shëndetit të fëmijëve ndërkohë që kërkoi zbardhjen e rrethanave nga institucionet përkatëse.

Skandali i salmonelës në kopshtin e fëmijëve në Gramsh u identifikua një javë më parë kur disa fëmijë shfaqën simptoma të njëjta të sëmundjes duke nxitur dyshime tek mjekët të cilët kërkuan analiza të mëtejshme nga ISHP.