Susaj: Agronomi, profesioni që po harrohet, duhet orientim i hershëm për nxënësit
Pedagogu Lush Susaj, ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai në Ora News, ku foli mbi rëndësinë e këshillimit të karrierës dhe sfidat që hasin të rinjtë shqiptarë në zgjedhjen e profesionit të duhur.
Gjatë intervistës, Susaj vuri theksin te rëndësia strategjike e profesionit të agronomit në kushtet aktuale të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një nga profesionet më jetike për të ardhmen e vendit.
“Sot, ndër të gjitha profesionet që ekzistojnë në Republikën e Shqipërisë, agronomi është një ndër më të rëndësishmit.
Ai është vendimtar për sigurinë ushqimore, për ushqimin e popullsisë, për mbrojtjen e mjedisit, për zhvillimin rural dhe për eksportet bujqësore,” – u shpreh Susaj.
Ai theksoi nevojën për më shumë orientim profesional në shkolla dhe për një vlerësim më të madh të profesioneve të lidhura me bujqësinë, të cilat shpesh neglizhohen, ndonëse janë thelbësore për ekonominë dhe jetesën e përditshme të qytetarëve.
