Luis Enrique: Nëse do e tregonim gjithçka që kemi kaluar, do ishte një film horr*r
Kanë mbetur edhe pesë ditë nga finalja e madhe e Champions League dhe trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka folur për UEFA-n për sfidën e së shtunës në “Allianz Arena” të Mynihut kundër Interit.
Tekniku spanjoll ka reflektuar mbi rrugëtimin e vështirë dhe plot emocione që PSG ka kaluar për të arritur në këtë pikë.
“Nëse do të rrëfenim gjithçka që ka ndodhur në Champions League, do të dilte një film horror ose thriller, sepse ka pasur nga të gjitha,” tha Enrique.
“Në ndeshjet e fazës së grupeve, sidomos ato në shtëpi, meritonim rezultate më të mira, por nuk arritën.
Ishim gati qesharakë në finalizim: është shumë e rrallë të shohësh një skuadër të këtij niveli me kaq pak efikasitet.
Renditja thoshte një gjë, por ndjesia jonë ishte krejt tjetër sepse e dinim që po bënim mirë.”
Ai theksoi kthesën që erdhi kur skuadra rifitoi qartësinë përpara portës:
“Kur gjithçka nisi të stabilizohej dhe gjetëm qetësinë në përfundim të aksioneve, arritëm shifra të rëndësishme. Duhet të jemi krenarë për atë që kemi bërë, por duhet ta përfundojmë punën, sepse synimi ynë është të hyjmë në histori.
Kemi qenë shumë të qëndrueshëm në stilin e lojës, në përgatitje dhe në përkushtimin për të fituar.
Po të shikosh statistikat, do shohësh një skuadër që në shumicën e rasteve ka qenë më e mirë se kundërshtari, ka krijuar më shumë raste dhe ka pësuar më pak, por nuk ka qenë efikase.”
Rruga drejt finales ka qenë e mbushur me përballje të nivelit më të lartë:
“Luajtëm në fushën e Bayern-it, pastaj në fushën e Arsenalit dhe sërish ndaj Arsenalit në gjysmëfinale. Në shtëpi përballë Atlético Madrid-it dhe Manchester City-t.
Në çerekfinale na doli Liverpool-i, skuadra më e mirë e Europës në atë moment dhe një nga më të mirat e këtij sezoni.
Praktikisht, ndeshjet me eliminim direkt nisën për ne që në fazën e grupeve.”
Përballë tij tani është një Inter i fortë dhe me përvojë:
“Kur shënohet një gol, skuadra që e pëson nis të rrezikojë më shumë dhe kjo e ndryshon komplet strategjinë fillestare.
Janë finale të hapura, ku të dyja skuadrat mund të shënojnë dhe gjithçka mund të ndryshojë, siç ndodhi në gjysmëfinale mes Interit dhe Barcelonës.
Interi është më me përvojë se ne, ka luajtur një finale dy vite më parë. Ka një trajner që e di ç’do të thotë të luash në këtë nivel dhe një skuadër shumë të aftë si në zotërimin e topit, ashtu edhe në mbrojtje.
Pa dyshim e meriton të jetë në këtë finale.”
Luis Enrique e mbylli deklaratën me ton serioz dhe ambicioz: “Ne duam ta mbyllim këtë rrugëtim duke hyrë në histori.”
