Ndeshjet ndaj Serbisë dhe Letonisë, Sylvinho shpjegon përzgjedhjen e 27 lojtarëve: Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo publikoi sot listën me 27 lojtarët e thirrur për ndeshjet e qershorit, më datë 7 kundër Serbisë dhe më 10 kundër Letonisë.
Ai ndodhet para mediave ku po iu përgjigjet të gjitha pyetjeve të gazetarëve, në lidhje me lojtarët e rinj, të rikthyerit dhe mungesat.
Lista dhe gjendja e lojtarëve?
“Ky është moment shumë i vështirë, dhe i veçantë i datave FIFA, lojtarët mbyllin sezonin dhe duhet të shohim si mbërrijnë. Ndonjë mbërrin shumë i lodhur, dikush më pak, se ka luajtur më pak, dikush ka mbaruar prej ditësh sezonin.
Është moment i veçantë, kemi emra, por kemi lojtarë që janë me 20 ditë në pushime, jo specifikisht në radhët tona. Duhet punuar mirë, kemi 10 ditë për të bërë një punë të mirë, por duhet punuar mirë, do të jetë e rëndësishme të zhvillojmë një punë të mirë. E përsërit që është një moment i veçantë i sezonit”.
Ndeshja me Serbinë dhe emocionet
“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, dy skuadra, kundërshtarë shumë fizikë. Ne shpenzojmë shumë energji, duhet të punojmë shumë mirë. Do të jenë të rëndësishëm të 27 lojtarët, mesazhi i parë është që kemi nevojë për të gjithë.
Janë dy ndeshje shumë të vështira për të harxhuar shumë energji. Të përqendrohemi te e para, Serbia, nuk është ndeshje normale, e di, e njoh historinë.
Por ne duhet të përqendrohemi te loja, duhet të bëjmë mirë., të jemi skuadër lufte, zemre e shpirti, të mos humbim identitetin, të shkojmë në fushë e bëjmë futboll. Ata jemi ne, jam dakord që është ndeshje që duhet përgatitur mirë, e vështirë, por ne kemi shanset tona”, deklaroi ai.

