Inter, Thuram: Shpresoj t’i shpjegoj babait tim si fitohet një Champions…

Marcus Thuram, sulmues i Interit, ka ndarë emocionet e tij në konferencën për shtypin gjatë Media Day-t të UEFA-s në prag të finales së madhe të Ligës së Kampionëve kundër PSG-së.

Në fjalët e tij ndihet entuziazmi, por edhe përqendrimi maksimal për sfidën që e pret.

Për ndeshjen ndaj Como-s dukeshe i nervozuar. Si po e përjeton familja jote këtë moment?

Jo, isha më shumë i trishtuar se i nervozuar. Por ajo tashmë ka mbetur pas. Sa për familjen… po, shpresoj t’i shpjegoj babait tim si fitohet një Champions.” (qesh)

Çfarë e bën kaq të veçantë partneritetin tënd me Lautaron?

Është e lehtë të luash me dikë si ai. Është lider, është kapiteni ynë, është kënaqësi ta kesh në fushë përkrah. Por kjo vlen edhe për të gjithë sulmuesit e tjerë që kemi: Taremi, Arnautovic dhe Correa.

Ka qenë sezoni yt më i mirë, por nga janari e këtej numrat janë ulur. Për shkak të dëmtimeve?

Jo, thjesht nuk kam qenë në nivelin që isha në fillim të sezonit. Por gjëja më e rëndësishme është që Interi po fiton dhe tani jemi në finalen e Ligës së Kampionëve. Kemi 90 minuta, ndoshta edhe më shumë, për të fituar një trofe të madh.

Si janë emocionet, krahasuar edhe me ato të Kupës së Botës?

Kupa e Botës është shumë e shpejtë, kupton menjëherë nëse je në finale. Me Interin ka qenë një rrugëtim më i gjatë, më i vështirë, me ndeshje vajtje-ardhje. Tani ka mbetur vetëm një hap i fundit që duhet ta bëjmë në mënyrën më të mirë.

Për t’u përgatitur për një finale të tillë, duhet harruar ajo që ndodhi në kampionat apo përdorur si motivim?

Mendoj se duhet një përzierje e të dyjave, pa i ndier si barrë. Nuk duhet të mendojmë për ndeshjen me Lazion. Duhet të hyjmë me qetësi, me lehtësi në mendje.

Thuram e mbylli me buzëqeshje dhe përkushtim, i vendosur që ta përjetojë këtë finale jo vetëm si lojtar i Interit, por edhe si biri i një legjende, me synimin për t’i kaluar një leksion të madh babait të tij, Lilian Thuram.