Policia kontrolle në Fushë Kosovë e Malishevë, arrestohen dy persona, dyshohen për përhapje të ideologjisë terro*iste

KOSOVË- Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm ka realizuar një operacion në Fushë Kosovë e Malishevë, ku janë arrestuar dy persona. Të arrestuarit dyshohen për shpërndarje ideologjisë për organizata terroriste përmes rrjeteve sociale.

Policia në njoftimin zyrtar shton se janë zhvilluar 3 kontrolle në këto dy zona ku u bënë edhe arrestimet. 

“Pas një pune operative-hetimore nga zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Republikës së Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor.

Operacioni policor ka përfshirë dy (2) raste të ndara, që kanë rezultuar me tri (3) kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishevë, si dhe dy (2) arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe ‘shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste’, duke përdorur rrjetet sociale”, ka njoftuar policia.

Policia bën të ditur se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.