K*rcënimi ndaj presidentes Osmani, Prokuroria e Policia nisin hetimet për identifikimin e autorëve
Prokuroria Speciale ka reaguar në lidhje me kërcënimet që janë dërguar ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Prokuroria Speciale ka bërë me dije se e ka autorizuar njësinë përkatëse të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin e personave që kanë kërcënuar me jetë Osmanin.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me rastin konkret. Në kuadër të kësaj ka autorizuar Njësinë përkatëse të policisë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me identifikimin dhe zbulimin e kryerësve të mundshëm të veprës penale,” thuhet në reagim.
Të hënën është bërë e ditur se në emailin zyrtar të Presidencës, një llogari e quajtur “Rrap Tap” ka kërcënuar me jetë presidenten Osmani. Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit, ka konfirmuar se e-maili është dërguar në adresën zyrtare të institucionit.
Bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Prindon Sadriu dje ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke përmendur dhjetëra kërcënime të përsëritura dhe të drejtpërdrejta me jetë ndaj Vjosa Osmanit dhe anëtarëve të familjes së saj.
Sadriu përmes një postimi në "Facebook" shkruan se kërcënimet nuk janë të rastësishme dhe të izoluara, por të vazhdueshme. Ai theksoi se këto kërcënime janë bërë nga profile anonime, por edhe nga individë publikë me emër e mbiemër.
Sadriu i cilëson këto si thirrje të hapura për dhunë, që nuk targetojnë vetëm individin, por vetë institucionin e Presidentes së Republikës. Ai thekson se përveç kërcënimeve, janë shfaqur edhe shpifje të fabrikuara, të cilat kanë për qëllim të nxisin urrejtje dhe të krijojnë një klimë ku dhuna perceptohet si e justifikuar.
Në reagimin e tij, ai kritikon ashpër mungesën e reagimit institucional ndaj këtyre kërcënimeve. Sadriu e cilëson heshtjen e institucioneve si bashkëfajësi, duke paralajmëruar se kjo situatë paraqet rrezik serioz jo vetëm për sigurinë e Presidentes dhe familjes së saj, por edhe për vetë stabilitetin institucional.
