Bayerni feston titullin në ‘Marienplatz’, fjalim lamtumire nga Thomas Muller
Bayerni i Mynihut, ashtu siç ishte programuar, ka respektuar traditën, duke festuar titullin kampion në Gjermani nga ballkoni i bashkisë së qytetit mbi sheshin kryesor të Mynihut, “Marienplatz”.
Bavarezët e mbyllën me fitore Bundesligë, duke triumfuar përballë Hofenhaimit në transfertë dhe dje, duke nisur që nga ora 13:30, kanë festuar me mijërat e tifozëve të tyre titullin e fituar pak javë më parë.
Të gjithë protagonistët e Bayernit kanë qenë aty, duke festuar secili sipas mënyrës së vet.
Natyrisht, mes festimeve një vend të rëndësishëm ka pasur Thomas Muller, i cili e ka mbyllur kapitullin Bayern dhe do të bëhet gati për një aventurë të re ndoshta në SHBA.
Thomas Muller ka folur për të ardhmen e tij: “Nuk kam asnjë nxitim, asnjë stres.
Do t’i jap vetes kohën e duhur për të marrë vendimin e duhur. Për sot, nesër dhe pasnesër, e di fare mirë se çfarë do të bëj.
Por për më gjatë nuk di të them. Edhe njëherë e theksoj, se është kënaqësi të ndodhem këtu duke festuar me të gjithë ju (tifozët)”.
