Shëndeti i Bimëve/ Çuko: Masa dhe monitorim i mbrojtjes fitosanitare në pikat kufitare të Shqipërisë

Në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit të Bimëve, Elda Çuko, Përgjegjëse e Sektorit të Mbrojtjes së Bimëve në Agjencinë Kombëtare të Ushqimit (AKU), ka folur për masat e marra dhe planin monitorues për ndalimin e përhapjes së dëmtuesve fitosanitarë në Shqipëri.

Çuko theksoi rëndësinë e inspektimeve të rregullta dhe analizave laboratorike për të siguruar pastrimin dhe sigurinë e bimëve.

Në periudhën janar-prill 2025, përkatësisht në katërmujorin e parë të vitit, janë realizuar gjithsej 5,672 kontrollime në pikat kufitare dhe në pikat e tregtimit të materialeve bujqësore.

Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e bujqësisë shqiptare nga kërcënimet e mundshme të dëmtuesve karantinarë.

Sipas planeve të AKU-së, janë marrë gjithsej 170 mostra për analizat e pastërtisë fitosanitare, të cilat janë dërguar për testim në laboratorët e AKU-së dhe në laboratorët e referencës ISU.

Rezultatet e analizave kanë treguar se mostrat kanë rezultuar të pastra nga dëmtuesit karantinorë, duke garantuar një nivel të lartë të sigurisë për tregun e brendshëm.

Një tjetër komponent i rëndësishëm i monitorimit janë kontrollimet e materialeve biello-shumëzues, si farat dhe fidane që ndodhen në treg.

Gjatë këtij katërmujori janë analizuar 458 mostra farash, prej të cilave 56 kanë kaluar procesin e analizës së fuqisë mbirëse.

Nga këto, 39 kanë rezultuar konform standardeve të kërkuara, ndërsa të tjerat janë ende në proces analizmi.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që është monitoruar gjatë këtij katërmujori janë paletat e drurit, të cilat mund të jenë bartëse të dëmtuesve karantinorë dhe kashtës që mund të përhapen përmes transportit të materialeve bujqësore.

Kontrolli i paletave është jetik për të shmangur përhapjen e dëmtuesve që mund të dëmtojnë mjedisin dhe biodiversitetin.

Znj. Çuko theksoi se plani monitorues, i cili është pjesë e një strategjie afatgjatë për vitin 2025, është i fokusuar në mbrojtjen e shëndetit të bimëve dhe parandalimin e përhapjes së dëmtuesve fitosanitarë, si dhe garantimin e cilësisë dhe sigurisë së materialeve bujqësore që hyjnë në tregun shqiptar.

Me këto masa dhe strategji, Shqipëria është angazhuar për të mbajtur një bujqësi të sigurt dhe të qëndrueshme, për të ruajtur ekosistemet dhe për të mbrojtur biodiversitetin nga kërcënimet e mundshme.