Buça: Rregullimi i Mbrojtjes së Bimëve në Shqipëri dhe Angazhimi në Projektet Ndërkombëtare
Në kuadër të 12 Majit, Ditës Botërore të Shëndetit të Bimëve, në emisionin “Alert” të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, ishte e ftuar Valdete Buça, Drejtoreshë e Politikave të Shëndetit të Bimëve në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ajo foli mbi legjislacionin që rregullon fushën e bimëve, masat e marra deri më tani dhe angazhimet e Shqipërisë në projekte ndërkombëtare.
Znj. Buça theksoi se aktualisht fusha e bimëve rregullohet nga ligji nr. 105/2016 “Për mbrojtjen e bimëve”, i cili është ndryshuar disa herë.
Por, sipas saj, ky ligj do të jetë në fuqi edhe për pak kohë, pasi shumë shpejt pritet të miratohet një ligj i ri i posaçëm për mbrojtjen e bimëve.
Ligji i ri është miratuar tashmë në Këshillin e Ministrave dhe është në pritje të miratimit në Parlament.
Gjithashtu, ajo u ndal te përditësimi i urdhrave teknikë, ku një nga më të rëndësishmit është urdhri nr. 113 për dëmtuesit.
Ky urdhër përditësohet herë pas here në përputhje me ndryshimet që ndodhin në Bashkimin Europian.
Shqipëria ka të gjitha udhëzimet teknike të përgatitura dhe për herë të parë ka hartuar një paketë shumëvjeçare sipas standardeve të BE-së.
Brenda kësaj pakete është përfshirë edhe një vrojtim specifik për kulturën e patates, i përqendruar në evidentimin e të gjithë dëmtuesve kryesorë të kësaj kulture.
Që nga viti 2022, Shqipëria është përfshirë në një projekt të BE-së për shëndetin e bimëve, i cili vijon deri në korrik të këtij viti.
Në qershor 2025, do të zhvillohet një takim përmbyllës me drejtuesit e shërbimeve fitosanitare të të gjitha vendeve të BE-së, ku Shqipëria do të prezantojë të gjitha masat që janë marrë, si dhe planet e kontigjencës për masat që do ndërmerren hap pas hapi.
Znj. Buça përmendi edhe rrezikun nga dëmtuesi “Cylas formicarius” (krimbi i patates së ëmbël), i shfaqur në Itali.
Ajo theksoi se, megjithëse Shqipëria është shumë afër gjeografikisht, janë marrë masa sanitare dhe kontrolle në terren.
Gjatë vitit 2023, është kryer një survejim për këtë dëmtues dhe nga 200 mostra të analizuara, Shqipëria ka rezultuar e pastër, pa asnjë rast të konfirmuar.
Buça theksoi se raste të tilla kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe ndërhyrje të rrepta.
Masat mbrojtëse ndaj këtyre rreziqeve janë të domosdoshme për të garantuar shëndetin e bimëve dhe sigurinë e prodhimit bujqësor në vend.
