Tatimet: Kompanitë e huaja që ofrojnë shërbime online në Shqipëri, të detyruara të regjistrohen për TVSH

Administrata Tatimore njofton se kompanitë ndërkombëtare që ofrojnë shërbime elektronike për qytetarë apo biznese të paregjistruara për TVSH në Shqipëri, kanë detyrimin të regjistrohen për qëllime tatimore në vendin tonë dhe të paguajnë TVSH-në për këto shërbime.

Ky detyrim vjen si pjesë e masave për të rritur transparencën dhe për të zgjeruar bazën tatimore, siç parashikohet në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kompanitë e huaja që ofrojnë shërbime online, si telekomunikacion, radio, televizion, hostim faqesh, mirëmbajtje software-ësh, shkarkim filmash, muzike, lojërash, kurse online etj., duhet të emërojnë një përfaqësues tatimor në Shqipëri, të regjistrohen për TVSH dhe të deklarojnë dhe paguajnë TVSH-në për çdo shërbim të ofruar ndaj individëve ose bizneseve të paregjistruara për TVSH në Shqipëri.

Nëse këto shërbime i ofrohen një biznesi që është i regjistruar për TVSH në Shqipëri, atëherë detyrimi për pagesën e tatimit bie mbi vetë biznesin shqiptar, përmes sistemit të vetëtatimit, dhe jo mbi kompaninë e huaj.

Administrata Tatimore nënvizon se qëllimi i këtij njoftimi është të rrisë ndërgjegjësimin dhe të nxisë përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore nga këto kompani, duke siguruar një treg të ndershëm dhe konkurrencë të barabartë për të gjithë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve paralajmëron se nëse këto kompani nuk reagojnë dhe nuk përmbushin detyrimet ligjore brenda një afati të arsyeshëm, do të merren të gjitha masat ligjore dhe administrative të parashikuara nga ligji shqiptar.