Paluka: Angazhim i dyfishtë me EFSA, Shqipëria drejt zbatimit të standardeve të BE

Valbona Paluka, pika e kontaktit e EFSA për Shqipërinë, e ftuar në emisionin “Alert” të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, foli në kuadër të 12 Majit – Ditës së Shëndetit të Bimëve, mbi përfshirjen e vendit tonë në fushatat evropiane të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të bimëve dhe kafshëve.

Ajo u ndal fillimisht te fushata për murtajën afrikane të derrave (ASF), e cila është zbatuar në mënyrë rigoroze nga institucionet shqiptare, ndonëse fushata ka përfunduar në Shqipëri prej 3 vitesh.

Ajo theksoi se fushata është zbatuar dhe financuar nga EFSA dhe se materialet e saj vazhdojnë të shpërndahen ende edhe gjatë vitit 2024, në vijim të nevojës për ndërgjegjësim, pasi janë konstatuar shpërthime të reja në pikat kufitare.

Në vitin 2025, Shqipëria është pjesë e një tjetër fushate të re, e njohur si “Safe to Eat”, që përfshin edhe vendet e IPFES dhe financohet nga EFSA.

Së bashku me të, vendi ynë është i përfshirë në dy fushata paralele, të cilat janë vlerësuar në një takim të fundit me delegacionin evropian ku Shqipëria ishte pjesëmarrëse.