Trump nuk merr pjesë në bisedimet për paqe, preferon të shohë nipin e sapolindur

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se dëshironte të takohej me homologun e tij rus, Vladimir Putin, sa më shpejt të ishte e mundur, por, këtë herë ai nuk do të merrte pjesë në bisedimet e sotme në Turqi, pasi preferonte të kthehej në Uashington për të parë nipin e tij të porsalindur.

Duke folur në një aktivitet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Trump tha se vajza e tij Tiffany sapo kishte lindur një djalë dhe se ai donte ta shihte nipin e tij sa më shpejt të ishte e mundur.

Ai shtoi se mezi priste të fluturonte menjëherë për në Uashington dhe se ndoshta duhej të ishte kthyer mbrëmë, por nuk donte t’i zhgënjente mikpritësit e tij në Abu Dabi.

Trump më parë e kishte lënë të hapur mundësinë e një udhëtimi të minutës së fundit nga rajoni i Gjirit për bisedime në Turqi, të përqendruara në përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ai argumentoi se nuk do të kishte përparim të vërtetë në përpjekjet për paqe derisa të takohej personalisht me Putinin. “Ne do ta bëjmë këtë. Ne duhet ta bëjmë këtë”, tha ai, duke shtuar se “mesatarisht 5 000 të rinj vriten çdo javë”.