Vendimi i GJL për Qynon, Vezaj: Drejtësia foli! Bashkë me akuzën ndaj gazetarit ra dhe iluzioni populist, ai që SPAK është gjithmonë i drejtë

Gazetari Flamur Vezaj ka reaguar sot përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë për lënien në fuqi të shfuqizimit të masës së sigurisë ndaj gazetarit Elton Qyno. Vezaj shprehet se kohët e fundit dyshimët e SPAK janë bërë ligj në Shqipëri dhe arrijnë deri aty sa të marrin gazetarin në hetim dhe t'i sekuestrojnë dokumente dhe gjithashtu edhe lodrat e fëmijëve. 

Lidhur me vendimin e djeshëm të Gjykatës së Lartë, gazetari thotë se ai institucion drejtësie doli se lexon ligjin, pra konfirmon se Qyno vetëm ka bërë detyrën e tij.  Vezaj shton se vendimi i kësaj gjykate erdhi pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese i kërkoi SPAK-ut të asgjësonte materialet e sekuestruara të gazetarit. Gazetari shprehet më tej se drejtësia foli dhe bashkë me akuzën ndaj Qynos ra edhe një tjetër iluzion populist, ai që SPAK është gjithmonë i drejtë.

POSTIMI I PLOTË: 

SPAK-u, “trimi” që lufton gazetarët dhe sekuestron lodrat e fëmijëve!
###

Epo ja ku jemi, në Republikën e Dyshimeve, ku SPAK ngre akuza, jo mbi prova, por mbi “hamendësime me ngjyra”. Dhe vktima ishte gazetari Elton Qyno. Akuza? “Korrupsion në sektorin privat”. Provat? Epo… SPAK-u tha se kishte dyshime. Dhe meqë “dyshimi” është bërë ligj në Shqipëri, pse jo, ta fusim gazetarin në hetim, ta marrim “peng”, t’i sekuestrojmë letra e USB, t’i bastisim makinën, t’i marrim materialet, e pse jo, edhe lodrat e fëmijëve.

Por ndodhi një “fatkeqësi” për SPAK-un: Gjykata e Lartë këtë radhë, doli që lexon ligjin! Po, po, ajo që është lart në katin e fundit të drejtësisë shqiptare, kësaj here nuk kishin frikë nga Dumani! Pra Gjyqtarët Albana Boksi, Medi Biçi dhe Ilir Panda i thanë thjesht: Jo, nuk mbahet njeri peng me trillime!

Vendimi i tyre, konfirmoi atë që gjyqtari Dhimitër Lara kishte thënë më parë: Gazetari Qyno ka bërë thjesht punën e tij. Dhe për këtë, u akuzua me… fantazi hetimore. Nëse do kishte ndonjë çmim për “Skenarë Penal Pa Skenar”, SPAK do e fitonte me meritë.

Dhe kjo trimëri e tre gjyqtarëve të lartë, erdhi vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese, po, po, ajo me toga të zeza dhe mendje të kthjellët për rastin Qyno, i dha një shpullë SPAK-ut. Sekuestrimi i lodrave të fëmijëve, kontrolli i makinës dhe konfiskimi i çdo gjëje që shkëlqente si “sekret” në shtëpi, e që spakistët i morën, ishin antikushtetues. Ja dhe një kapitull i ri për librin e absurdit shqiptar: “Si të shpikësh një krim dhe të rrëzohesh nga të gjitha shkallët e drejtësisë”.
Ironia më e hidhur? Edhe pse u urdhërua nga Kushtetuesja të kthejë gjithçka, SPAK ende nuk e ka zbatuar vendimin. Me sa duket, drejtësia e tyre është në pritje të vendimit që të zbardhet.

Por, të jam e drejtë, ndoshta nuk ishte faji i prokurorëve. Ndoshta ata vërtetë besojnë se një gazetar që shkruan për kriminelët dhe sjell dëshmi, në fakt, bashkëpunon me ta. Në fund të fundit, në një botë ku e vërteta i djeg pushtetit, gazetaria është krim.

Fatmirësisht, këtë herë, drejtësia foli. Dhe foli qartë. Akuza ndaj Qynos ra me zhurmë. Dhe bashkë me të, ra edhe një tjetër iluzion populist, ai që SPAK është gjithmonë i drejtë.

Qëndroni të informuar, se ndonjë ditë, mund të ju akuzojnë për korrupsion pse shpërndatë ndonjë meme në WhatsApp!