Brahja: Sistemi ka ndryshuar rrënjësisht nga 2008 dhe është përdorur si plastelinë

E ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", Aranita Brahja nga “Open Data” analizoi ndërhyrjet e vazhdueshme në Kodin Zgjedhor dhe ndikimin e tyre në sistemin zgjedhor aktual.

" Ne kemi një sistem zgjedhor i cili është vendosur në Kodin Zgjedhor të miratuar në 2008, por ky Kod Zgjedhor ka ndryshuar disa herë, aq herë sa tashmë askush nuk merret tani e ta numëroj sa nene ka ndryshuar.

Sistemi ka ndryshuar rrënjësisht nga 2008 dhe është përdorur si plastelinë.

Sa herë një forcë politike ka dashur të zhvilloj diçka që i sjell efekt e ka bërë këtë lloj ndryshimi dhe partia që është sot në qeverisje e ka përdorur çdolloj ndryshimi që ka ndodhur, përfshirë dhe ato ndryshimet e vogla që duken të parëndësishme.

Për shembull një nga ndryshimet esenciale ka qenë në 2020 ku u hoq mundësia për të pasur koalicione parazgjedhore dhe bashkë me këtë mundësi nuk patëm asnjëlloj ndarje të re të hartës territoriale. 

Sot me sistemin që kemi, me formulën që kemi, me ndarjen territoriale edhe me ca efekte të tjera që kanë të bëjnë me financimin e partive politike, ne kemi një sistem që sa më shumë parti të vogla të futem aq më shumë ndihmohet partia e madhe në pushtet", u shpreh Brahja.