VIDEO/ "Blerja e votave nga PS" - Tensionet në Dibër, Gjunkshi: Ka pasur dy herë të shtëna

Pak më parë njoftuam se në fshatin Pilafe në Peshkopi janë ndaluar 2 mjete nga simpatizantët e PD.

Në vend ngjarje është edhe kandidati i opozitës Xhemal Gjunkshi dhe drejtuesi politik i PD Xhelal Mziu.

Dyshohet se personat në këto mjete po shpërndanin para për të blerë votën për PS.

Është njoftuar policia. Ndërkohë Syri ka siguruar videon nga vendngjarja.

Deklarata:

Momentalisht ndodhemi në fshatin Pilafë, në periferi të Peshkopisë. Sot, rreth dy orë më parë, u konstatua se shtetasi dhe njëkohësisht punonjësi i Policisë së Shtetit, Esat Gjura, ka trokitur në disa banesa dhe ka takuar qytetarë duke u dhënë para.

Ndërkohë, sipas personave të Partisë Demokratike, ky person ka qenë nën vëzhgim dhe, kur është thirrur të ndalojë, është larguar me vrap. Menjëherë njoftuam Policinë e Shtetit, e cila mbërriti në vendngjarje së bashku me prokurorin e rrethit, dhe procedurat e hetimit kanë vijuar.

Janë ndaluar tre automjete që iu nënshtruan kontrollit. Njëri prej tyre i përkiste kandidatit për deputet, Daniel Gjura, i cili u la i lirë, ndërsa pasagjeri në mjetin e tij iu nënshtrua kontrollit. Gjatë kontrollit u konstatuan 130 litra karburant nga karburanti "Doda" dhe 500 litra nga karburanti "Skënderaj". Po ashtu, në mjet u gjet edhe portofoli personal i tij.

Këto prova i kalojnë për kompetencë Prokurorisë për të vijuar hetimet dhe për të sqaruar pse ndodheshin këto materiale në automjet. Ndërkohë që zhvillohej kontrolli, policia ishte në kërkim të shtetasit Esat Gjura, i cili u konstatua në një mjet tjetër dhe nuk pranoi të ndalonte, pavarësisht thirrjeve të policisë. Në përpjekje për t’u larguar, shoqëruesit e tij dhunuan një qytetare që tentoi t’i ndalonte.

Në automjetet e tyre u gjetën edhe shkopinj bejsbolli, me të cilët janë dhunuar qytetarë. Gjithashtu, në fillim të ngjarjes, ka pasur dy herë të shtëna me armë zjarri, për të cilat dyshohet se është i përfshirë Esat Gjura.