"Krim të kërkosh votën", ironia e Lutfi Dervishit për absurditetin zgjedhor në Lezhë
Në një reagim ironik dhe të mprehtë në Facebook, analisti i njohur, Lutfi Dervishi, ka komentuar një ngjarje absurde nga fushata zgjedhore në Lezhë, ku një kandidat politik po përballet me pasoja ligjore thjesht sepse ka kërkuar votën derë më derë.
Me sarkazëm të hollë, Dervishi vë në pah përmbysjen e logjikës demokratike dhe rolin paradoksal që po merr policia në procesin elektoral.
Më poshtë, reagimi i Dervishit:
"Policia që duam
Në Lezhë, qyteti ku pyetja “A ma jep votën?” mund të kthehet në kallëzim penal, fushata zgjedhore ka arritur kulmin e absurdit.
Një kandidat i “Partisë Demokratike” akuzohet se trokiti në një derë për të kërkuar votën.
Në Lezhë, të shkosh për vota, ke punë me policinë.
Imagjinoni skenën: Një 66-vjeçar prapa pragut të shtëpisë së tij, duke parë përtej syrit magjik, ndërsa kandidati 55-vjeçar guxon të kërkojë votën. Ky akt në Lezhë quhet ngacmim elektoral, më i rëndë se ngacmimi seksual.
Nëse të kërkosh votën është krim, atëherë fushatat elektorale janë organizata të strukturuara kriminale, ndërsa mitingjet, aktivitete të mafies politike.
Pas këtij precedenti, do të kemi fletarrest për çdo pjesëmarrje në mitingje dhe për çdo premtim që del nga goja e politikanëve.
Kështu, më në fund, do të kemi një demokraci pa politikanë e deputetë, ëndrra e çdo...polici!"

