“Krujën e kthyen në qytet-varrezë”/ Kalaja: Shtëpitë e tërmetit në hetim nga SPAK, ndaj s’ua jep banorëve Rama
Teksa kryesocialisti Edi Rama po mban takimet e fundit elektorale me banorët e Fushë-Krujës dhe Krujës, kandidati i Partisë Demokratike për deputet Aulon Kalaja nga studioja e lajmeve në “Ora News” hodhi akuza të forta ndaj kreut të Qeverisë.
“Nikla sot me 11 mijë banorë nuk ka shkollë dhe gjimnaz. E kanë prishur në 2019 dhe ka 6 vjet pa shkollë e thonë pastaj Nikla është vendi i krimit. Por po i mbylle shkollat e gjimnazet do hapet burgu.
Fushë-Kruja thonë vendi i tritolit, por po kërkove tritol, tritol do gjesh. Por në Fushë-Krujë ka ardhur Presidenti Bush, ka ardhur Papa i Vatikanit. Ne kemi një vend atje që quhet Albanopolis, që është krenaria kombëtare e Shqipërisë nga ku ne kemi marrë emrin “Albania”.
Kruja është shndërruar totalisht në një qytet varrezë, fantazim. Në orën 5 nuk ka nbë rrugë as gra, as fëmijë e as pleq. I kanë hequr prokurorinë, i kanë hequr gjykatën, i kanë hequr ADISA-n, komisariatin e policisë. Stadiumi i Kastriotit nga krenari kombëtare, sot hidhen inerte dhe kanë mbirë ferrat.
Mbi 88 njerëz kanë shkuar në spital nga helmimi me ujin dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë fajtor, ku në një spital ku kanë hedhur këta 6 milionë euro, tualetet janë kolektive.
Kruja prej 6 vitesh vuan një nga plagët më të mëdha shtëpitë e tërmetit. Kryeministri shkon e vjen dhe thotë do ndaj shtëpitë e tërmetit, po banesat janë gati e pse nuk ua jep ky atyre banorëve?!
Njerëzit janë jashtë dhe shtëpitë janë ndërtuar, pyetja është se pse nuk ua jep ky shtëpitë e tërmetit banorëve?
Dhe kam një përgjigje për këtë: këta nuk i shpërndajnë shtëpitë e tërmetit sepse ka një hetim nga SPAK-u. E para kanë ndërtuar më pak shtëpi se duhen, e dyta nuk ka transparencë për fondet e lëvruara, pasi janë 3 miliardë euro të dhëna nga taksapaguesit evropianë dhe botërorë.
Dhe i kanë marrë këto para dhe ai që është me PS-në edhe pse nuk i është gërvishtur shtëpia fare ka marrë shtëpi të dytë, atij që i është shembur krejtësisht nuk ua japin se është me PD-në dhe nuk i kanë dhënë shtëpi fare.
Nëse vijmë ne në pushtet në 6 muajt e parë i lajmë hesapet me tërmetin dhe ky nuk ëhstë premtim, por zotim.
Nëse kjo nuk bëhet, unë bashkë me ata banorë do të dal në rrugë në protestë të qeverisë tonë", u shpreh Aulon Kalaja.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME KANDIDATIN E PD PËR DEPUTET NË QARKUN E DURRËSIT AULON KALAJA


