Lamine Yamal: Ishte e dhimbshme, por tani mendojmë vetëm për të fituar në Milano

Lamine Yamal, vetëm 17 vjeç, ishte një nga ‘yjet’ më të ndritur në përballjen dramatike mes Barcelonës dhe Interit që përfundoi 3-3 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Me një gol të shkëlqyer, dy goditje në traversë dhe disa aksione të jashtëzakonshme, talenti i ri i Barcelonës tregoi edhe një herë potencialin e tij të jashtëzakonshëm.

Megjithatë, në përfundim të ndeshjes, Yamal nuk u mjaftua me lavdërimet dhe shfaqi zhgënjimin e tij për rezultatin, duke e cilësuar barazimin si të padrejtë për një skuadër që, sipas tij, ishte superiore gjatë gjithë takimit.

"Jam mirënjohës për vlerësimet dhe elozhet, por unë mendoj vetëm për futbollin dhe për të pushuar, sepse në Milano do të japim gjithçka.

E merituam fitoren, edhe pse barazuam, dhe tani mendojmë vetëm për të fituar," – u shpreh ai pas përfundimit të ndeshjes së tij të 100-të me fanellën e Barcelonës.

Yamal tronditi pak tifozët edhe para ndeshjes, kur u duk se kishte ndier një shqetësim gjatë nxehjes:

"Gjatë një goditjeje në nxehje ndjeva diçka të çuditshme dhe shkova në dhomën e zhveshjes. Por më pas isha në gjendje të luaja mirë.

Gjithmonë përpiqem të jap gjithçka për skuadrën."

I pyetur për goditjen e dytë në traversë, ai tha me sinqeritet:

"Desha ta godisja fort, por më doli një top me hark.

Ishte zhgënjyese të mos fitonim, ndaj u mërzita në fund, por tashmë ka kaluar dhe gjithë përqendrimi është te ndeshja e kthimit."

Barcelona do të kërkojë kualifikimin më 6 maj në "San Siro", aty ku Lamine Yamal dhe shokët e tij premtojnë të bëjnë gjithçka për të kaluar në finalen e madhe të Champions League.