Pep Guardiola, elozhe Interit dhe Simone Inzaghit: Skuadër e jashtëzakonshme

Pep Guardiola nuk është i panjohur për komplimentet ndaj kundërshtarëve, por kur ato vijnë nga një trajner me 39 trofe të fituar, peshën e tyre nuk e diskuton askush.

Pas barazimit spektakolar 3-3 mes Interit dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve, tekniku katalanas nuk kurseu lëvdatat për zikaltrit dhe trajnerin e tyre, Simone Inzaghi.

"Kur luan si Barcelona, e di që stadiumet nuk do të jenë kurrë bosh. Edhe Interi është shumë i fortë, është e pabesueshme sa mirë dinë të mbrohen, si reagojnë në tranzicion, sa fizikisht të fortë janë dhe sa të organizuar duken.

Simone Inzaghi është një trajner i jashtëzakonshëm. Me ndeshje të tilla, stadiumet do të jenë gjithmonë plot dhe futbolli do të vazhdojë të rritet", tha Guardiola.

Nuk është hera e parë që trajneri i Manchester City-t flet me respekt për Interin.

Para përballjes së parë të këtij edicioni në fazën e grupeve mes City-t dhe Interit, që përfundoi 0-0, Guardiola kishte deklaruar:

"Interi ka një trajner të shkëlqyer, janë skuadra më e fortë në Itali dhe mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve. Lautaro Martinez është një lojtar special, jo vetëm që shënon, por bën edhe shumë gjëra të tjera."

Madje, gjatë asaj konference për shtyp, Pep u kthye edhe te finalja e Ligës së Kampionëve 2023, ku City mposhti Interin me golin e vetëm të Rodrit: "E kam rishikuar atë ndeshje dhe që atëherë Interi ishte shumë i fortë. Para finales nuk mendoja se ishim më të mirë se ata."

Një sërë deklaratash që vetëm sa konfirmojnë respektin e madh të një prej mendjeve më të ndritura të futbollit për një trajner që, në heshtje, po ndërton një Inter konkurrues në çdo front.