EKONOMIA VAZHDON RRITJEN! BB: Shqipëria me rritje të qëndrueshme, u ul papunësia
Banka Botërore e vlerëson ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare që në vitin 2024 rritja shkoi në 3.9 për qind. Në parashikimet e dy viteve të ardhshme, në dokument thuhet se situata do vazhdojë të jetë e njëjtë
Në raportin më të fundit të Bankës Botërore për Pranverën 2025, Shqipëria shënon një rritje të qëndrueshme ekonomike prej 3.9% në vitin 2024, duke qëndruar ndër ekonomitë më të gjalla të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Për vitin 2025, parashikohet një rritje prej 3.2%, e mbështetur nga konsumi i brendshëm, investimet publike dhe rënia e inflacionit në nivelin 2.2%, një ndër më të ulëtat në rajon.
Megjithatë më optimist banka botërore është për 2026 ku parashikon rritje me 3.6 për qind.
Në tregun e punës, Shqipëria kryeson me normën më të lartë të punësimit në Ballkan, 58.2%, ndërsa normat e papunësisë ranë në 8.6% në fund të 2024-s. Edhe rritja e pagave reale ka qenë e ndjeshme, me një mesatare rritjeje prej 8%, duke ndihmuar fuqizimin e konsumit të brendshëm.
Në anën fiskale, Shqipëria ka ruajtur stabilitet, me përmirësim të bilancit buxhetor, falë të ardhurave të forta nga taksat dhe një ekzekutim më të ulët të shpenzimeve kapitale.
Megjithatë, raporti nënvizon se sfidat mbeten në rritjen e investimeve dhe përmirësimin e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë.
Ballkani Perëndimor: Rezistencë, por me rreziqe të larta
Në tërësi, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor 0 patën një rritje mesatare prej 3.5% në 2024, me Kosovën që udhëhoqi me 4.4% dhe Shqipërinë e Serbinë në vendin e dytë me 3.9%.
Tregjet e punës u përmirësuan në të gjitha vendet, megjithatë sfidat e emigracionit, pjesëmarrjes së ulët të grave dhe mungesës së aftësive vazhdojnë të rëndojnë mbi potencialin e rritjes afatgjatë.
Në anën fiskale, ndërsa disa vende si Shqipëria dhe Kosova përmirësuan bilancet e tyre buxhetore, të tjera si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja përjetuan përkeqësim të deficitit për shkak të rritjes së shpenzimeve për paga dhe përfitime sociale.
Rritja e inflacionit në fillim të vitit 2025, pas një uljeje gjatë 2024-s, dhe ngadalësimi i kërkesës në Eurozonë përbëjnë rreziqet kryesore për ekonomitë e rajonit. Banka Botërore thekson nevojën për një ritëm më të shpejtë reformash strukturore


