Rudiger kërkon falje pas atij ‘tërbimi’ në finalen e Kupës së Mbretit, por rrezikon shumë
Mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rudiger, ka kërkuar falje për sjelljen e tij gjatë humbjes 3-2 pas kohës shtesë ndaj Barcelonës në finalen e Kupës së Mbretit, të shtunën, kur u ndëshkua me karton të kuq të drejtpërdrejtë pasi shpërtheu në zemërim dhe hodhi një objekt drejt arbitrit.
Incidenti ndodhi pasi gjyqtari Ricardo de Burgos Bengoetxea akordoi një faull në favor të Barcelonës, pas një përplasjeje mes Kylian Mbappé dhe Eric Garcia, duke i mohuar Real Madridit një mundësi të fundit për të barazuar, pak sekonda pasi Jules Koundé kishte shënuar golin vendimtar në minutën e 116-të.
Vendimi i arbitrit shkaktoi zemërim të madh te lojtarët e Real Madridit, veçanërisht te Rudiger, i cili ishte zëvendësuar më parë dhe ndodhej në stol.
Gjermani u ndëshkua menjëherë me karton të kuq për reagimin e tij dhe duhej të mbahej nga shokët e skuadrës dhe stafi teknik për të mos hyrë në fushë dhe për të mos hedhur çanta akulli drejt arbitrit.
"Absolutisht nuk ka justifikim për sjelljen time mbrëmë. Jam shumë i penduar për këtë," shkroi Rudiger në rrjetet sociale të dielën.
"Ne zhvilluam një ndeshje shumë të mirë që nga pjesa e dytë. Pas 111 minutash nuk isha më në gjendje ta ndihmoja ekipin dhe përpara vërshëllimës së fundit, bëra një gabim.
Më vjen shumë keq për arbitrin dhe për të gjithë ata që i zhgënjeva."
Përveç Rudigerit, edhe shokët e tij të skuadrës, Lucas Vazquez dhe Jude Bellingham, u ndëshkuan me karton të kuq pas përfundimit të ndeshjes për sjellje antisportive.
Megjithatë, Rudiger është në rrezik të përballet me një pezullim të rëndë, që sipas rregullave të Federatës Spanjolle mund të jetë nga katër deri në dymbëdhjetë ndeshje, duke përfshirë të gjitha garat vendase, përfshirë La Ligën.
Real Madridit, kampion në fuqi i Spanjës dhe Europës, i ka mbetur vetëm kampionati për të fituar këtë sezon. Ata ndodhen katër pikë pas Barcelonës, me pesë ndeshje të mbetura deri në fund.
