Flick e Laporta kërcënojnë Interin: Jemi më të mirët

Barcelonës iu deshën 120 minuta plot adrenalinë për të mposhtur Real Madridin në finalen e Kupës së Mbretit.

Ishte një përpjekje e madhe fizike dhe mendore – duke mos harruar polemikat e krijuara në prag të ndeshjes nga ankesat e “Los Blancos” ndaj gjyqtarit De Burgos – por kjo nuk e shqetëson Hansi Flick në prag të sfidës kundër Interit, të mërkurën në mbrëmje, në Ligën e Kampionëve.

"Ajo që bëmë ishte shumë e mirë," deklaroi tekniku gjerman menjëherë pas suksesit në Kupë. "Do të kemi kohë të mendojmë për Interin."

Natyrisht, Flick nuk u shpëtoi pyetjeve për gjendjen fizike të skuadrës pas një përballjeje kaq të lodhshme: "Do të duhet të rikuperojmë shpejt për të qenë në formë të mirë për Champions-in.

Do t’i lejoj lojtarët të festojnë? Sigurisht, por vetëm sot!" – u përgjigj ai me buzëqeshje.

Më pas, ai dërgoi edhe një paralajmërim për Simone Inzaghin dhe Interin: "Fitorja në këtë finale na jep besim për ndeshjet e ardhshme, ‘tripleta’ është ende një objektiv real për ne.

Kur vjen në Barcelonë, vjen për të jetuar ndeshje si këto."

Në të njëjtën linjë me trajnerin ishte edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i cili pas fitores ndaj Realit deklaroi: "Interi është një skuadër e madhe, por ne jemi më të mirët."