Regjistrimi i dyfishtë i votuesve të diasporës, PD i kërkon KQZ të tregojë masat e marra për eliminimin e dublikatave

Partia Demokratike i është drejtuar me kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me regjistrimin e dyfishtë të votuesve të diasporës, për të votuar për zgjedhjet e 11 majit.

Rezulton se janë 137 votues të diasporës të regjistruar dy herë dhe PD kërkon informacion se çfarë masash janë marrë për eliminimin e dublimeve dhe për parandalimin e votimit të dyfishtë.

Gjithashtu pyet se pse nujk janë ç’regjistruar nga lista e gjeneruar nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.

“Lidhur me këto shqetësime, kërkojmë të na vihen në dispozicion të gjitha të dhënat dhe evidencat e këtyre rasteve, të ndara sipas qarqeve.

Po ashtu, vërejmë një tjetër problematikë që lidhet me zgjedhësit nga Diaspora, të cilët janë regjistruar përmes procedurës së gjykimit “Online” dhe kanë fituar të drejtën e votës me vendim gjykate.

Kjo procedurë është parashikuar në Kodin Zgjedhor, si dhe në Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Komisionit Rregullator të KQZ-së.

Pavarësisht kësaj, një numër prej tyre nuk janë reflektuar në listat përfundimtare të votuesve nga jashtë, çka përbën shkelje të të drejtës së votës dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Kërkojmë përgjigje të qarta mbi sa vijon:

Sa raste të tilla me vendim gjykate, janë regjistruar në total si zgjedhës nga jashtë nga KQZ dhe sa raste keni marrë informacion që nuk kanë gjetur dot emrin në listat e votuesve nga jashtë?

Sa prej tyre janë adresuar dhe përfshirë në listat e votuesve nga jashtë?

Si do të rregullohen rastet ku ende nuk janë nisur fletët e votimit drejt zgjedhësve në Diasporë, por nga ana tjetër, zgjedhësit duhet të jenë ç’regjistruar nga listat e votuesve brenda vendit, në zbatim të vendimeve të gjykatave?

Duke qenë se këto shqetësime përbëjnë shkelje të rënda dhe rrezikojnë të prishin themelin e procesit demokratik të zgjedhjeve, ju lutemi të na siguroni këto sqarime dhe dokumente brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes së kësaj shkrese“, thuhet në shkresën zyrtare që mban firmën e Franci Nurit, përfaqësues i subjektit zgjedhor PD-ASHM në KQZ.

KËRKESË PËR SQARIME LIDHUR ME REGJISTRIMIN E DYFISHTË TË 137 VOTUESVE NË LISTAT E DIASPORËS DHE TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Nga subjekti:

PARTIA DEMOKRATIKE MADHËSHTORE (PD-ASHM) KOALICIONI PËR SHQIPËRINË

Baza Ligjore:

Kushtetuta e RSH; Neni 123/1 e vijues i Kodit Zgjedhor

Drejtuar:

Komisionerit Shtetëror te Zgjedhjeve z. Ilirjan Celibashi

Për Dijeni: Prezenca e OSBE-ODIHR në Shqipëri

Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,
Në cilësinë e përfaqësuesit në KQZ të subjektit zgjedhor PD-ASHM, dhe bazuar në detyrimin për të garantuar integritetin dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor, ju njoftojmë se nga verifikimet tona paraprake rezulton se në regjistrat e votuesve ekzistojnë të paktën 137 zgjedhës të cilët figurojnë të regjistruar në të dy listat e zgjedhësve: njëherë në listën e votuesve me banim jashtë vendit (diasporë) dhe njëherë në listën e votuesve në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ky regjistrim i dyfishtë krijon rrezikun real që këta individë të mund të ushtrojnë të drejtën e votës dy herë, çka përbën vepër penale (sipas nenit 327/a të Kodit Penal) dhe cenon rëndë standardet zgjedhore, duke rrezikuar përllogaritjen e ndarjes së mandatit të fundit për secilin qark ku mund të ketë votues të dubluar, shkelje këto që mund të sjellin pavlefshmëri të zgjedhjeve.

Nisur nga sa më sipër, kemi disa pyetje për të cilat kërkojmë përgjigje me shkrim nga ana e KQZ:

A janë kryer auditimet e nevojshme dhe a ka rezultuar ky problem gjatë tyre? Nëse po, cili është numri i rasteve të identifikuara në shkallë vendi dhe sipas çdo qarku? Cili është shpjegimi zyrtar për praninë e këtyre 137 rasteve të regjistrimit të dyfishtë?
Çfarë masash janë marrë për eliminimin e dublimeve dhe për parandalimin e votimit të dyfishtë nga këta shtetas? Në rast se është bërë eliminimi i dublimit, në cilën listë do të mbetet zgjedhësi: në listën e votimit nga jashtë (sipas vullnetit të shprehur) apo në listën në RSH, ku është regjistruar në mënyrë pasive?
Duke qenë se afati i finalizimit të listës së votuesve nga jashtë ka qenë më i hershëm sesa ai për listën e votuesve brenda territorit të RSH, cila është arsyeja që këta shtetas nuk janë ç’regjistruar nga lista e gjeneruar nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile?
A keni identifikuar përgjegjësi ligjore për këtëo probleme në institucionet që hartojnë listat përkatëse, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile? Çfarë veprimesh administrative, disiplinore apo ligjore janë marrë, ose parashikohen të merren, për zyrtarët që nuk kanë garantuar saktësinë e regjistrave?
Lidhur me këto shqetësime, kërkojmë të na vihen në dispozicion të gjitha të dhënat dhe evidencat e këtyre rasteve, të ndara sipas qarqeve.

Po ashtu, vërejmë një tjetër problematikë që lidhet me zgjedhësit nga Diaspora, të cilët janë regjistruar përmes procedurës së gjykimit “Online” dhe kanë fituar të drejtën e votës me vendim gjykate. Kjo procedurë është parashikuar në Kodin Zgjedhor, si dhe në Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Komisionit Rregullator të KQZ-së.

Pavarësisht kësaj, një numër prej tyre nuk janë reflektuar në listat përfundimtare të votuesve nga jashtë, çka përbën shkelje të të drejtës së votës dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Kërkojmë përgjigje të qarta mbi sa vijon:

Sa raste të tilla me vendim gjykate, janë regjistruar në total si zgjedhës nga jashtë nga KQZ dhe sa raste keni marrë informacion që nuk kanë gjetur dot emrin në listat e votuesve nga jashtë?

Sa prej tyre janë adresuar dhe përfshirë në listat e votuesve nga jashtë?

Si do të rregullohen rastet ku ende nuk janë nisur fletët e votimit drejt zgjedhësve në Diasporë, por nga ana tjetër, zgjedhësit duhet të jenë ç’regjistruar nga listat e votuesve brenda vendit, në zbatim të vendimeve të gjykatave?

Duke qenë se këto shqetësime përbëjnë shkelje të rënda dhe rrezikojnë të prishin themelin e procesit demokratik të zgjedhjeve, ju lutemi të na siguroni këto sqarime dhe dokumente brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes së kësaj shkrese.

Me respekt,

Franci NURI

Përfaqësues i subjektit zgjedhor PD-ASHM në KQZ