Berisha: Mbështetje çifteve të reja për banesë, lehtësim i strehimit për qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale. Duke ju përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, Berisha bëri edhe një prezantim të programit të 11 majit për mbështetjen e çifteve të reja që e etiketoi: çdo çift, një çati.

“Ju siguroj se ne këtë program do e bëjmë realitet. Çmimet e sipërfaqeve të ndërtimit këtu janë stratosferike. Por ne do bëjmë sërish, përveç projektit që çdo çift, një çati, që nënkupton një grant prej 30 mijë eurosh për të mbuluar interesat e kredisë.  Dhe në rast se çifti dëshiron të ketë fëmijën e tretë, kredia i paguhet tërësisht nga shteti”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “krahas kësaj, ne kemi edhe dy projekte të tjera për strehimin e shqiptarëve, për lehtësimin”.

“Së pari, ulim me të paktën 10 herë taksat që merren sot mbi sipërfaqen e ndërtimit. Taksat llogariten me vlerën e shitjes, ato do llogariten me vlerën e projektit. Dhe në këtë kontekst, në qoftë se sot ndërtuesi paguan taksë 100 gjer në 300 euro për metër katrorë, do paguajë 2 deri në 8 euro për metër katror”, u shpreh Berisha.

“Së treti, ne do ndërtojmë ndërtesa sociale me qëllimin e vetëm dhe kryesor që t’u japim mundësi shqiptarëve të strehohen me çmime të arsyeshme”, tha Berisha.

Berisha tha ndër të tjera se “kabineti ynë do jetë një kabinet me përfaqësim mbarëkombëtar të shqiptarëve në Shqipëri, diasporë dhe kudo që janë”.

Berisha më më tej se “diaspora do përcaktojë ndryshimin e madh”, ndërsa shtoi se “po ndjekim me shqetësim, problemet e raportuara”.

“DHL është në reputacionin e postës më të sigurtë dhe prandaj është zgjedhur, por ne po ndjekim me shumë shqetësim raportimet që na vijnë nga diaspora dhe po merremi me to”, tha Berisha.

Sa i takon studentëve, Berisha tha se “do hiqet mesatarja, do vendoset bursa 200 euro dhe do përgjysmohet ose do hiqet tarifa”.

“Për studentët, së pari hiqet mesatarja, e vendosur si shpatë Demokleu mbi ta për të përjashtuar nga e drejta e universitetit të paktën 60 për qind të maturantëve. Së dyti, vendoset bursa 200 euro. Së treti, tarifa përgjysmohet ose hiqet sipas rastit në çdo fakultet. Së katërti, pas mbarimit, punësimi i të diplomuarve do të jetë përparësia më e madhe”, tha Berisha.