Ukraina i kërkon kancelarit Merz dorëzimin e raketave në ditën e tij të parë të punës
Ish-ambasadori ukrainas në Gjermani, Andrii Melnyk, i kërkoi kancelarit të ardhshëm gjerman, Friedrich Merz që të autorizojë menjëherë dërgimin e raketave ”Taurus” në Ukrainë.
Në një letër të hapur të botuar sot nga gazeta ”Die Welt”, Melnyk i bëri thirrje Merzit të njoftojë një dërgesë prej 150 raketash Taurus në Bundestag më 6 maj, ditën kur ai do të zgjidhet kancelar nga ligjvënësit dhe të sigurojë dorëzimin e tyre të shpejtë.
Melnyk, i cili do të bëhet ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, e përshkroi dorëzimin si thelbësor për ndalimin e përparimit të Rusisë dhe ndryshimin e dinamikës së luftës.
”Armët duhet të dorëzohen pa ‘nëse’ apo ‘por”, shkroi ai, duke shtuar se konsultimet me partnerët apo ultimatumet për presidentin rus Vladimir Putin ishin të panevojshme.
Forcat Ajrore Gjermane kanë operuar sistemin ”Taurus” që nga viti 2005.
Çdo raketë kushton afërsisht 1,1 milionë dollarë.
Merz, i cili drejton kristian-demokratët e qendrës së djathtë, ka thënë se ai mbështet furnizimin me raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, por pohon se çdo veprim i tillë do të kërkonte koordinim me aleatët evropianë.
Por Melnyk shkoi përtej vetëm raketave, duke i kërkuar qeverisë së ardhshme të Merz që të sigurojë 30% të inventarit të Forcave Ajrore Gjermane në Ukrainë – duke përfshirë rreth 45 avionë ”Eurofighter” dhe 30 avionë ”Tornado” – për të maksimizuar efektivitetin e sistemit ”Taurus”.
Në letrën e tij, Melnyk i bëri thirrje ndjenjës së përgjegjësisë historike të Merz.
“Jo vetëm e ardhmja e Gjermanisë varet nga suksesi juaj si kancelar, por edhe fati i Ukrainës – dhe i të gjithë Evropës”, shkroi ai.
”Merz ka një mundësi historike për ta bërë Gjermaninë fenerin më të rëndësishëm të botës së lirë demokratike”, theksoi Melnyk.
Raketa ”Taurus”, me një rreze të raportuar deri në 500 kilometra, mund të lejojë Ukrainën të godasë objektivat ushtarake shumë prapa vijës së frontit, përfshirë edhe brenda territorit rus.
SHBA-ja e ka furnizuar Ukrainën me raketa ATACMS, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 300 kilometra, ndërsa Franca dhe Britania e Madhe kanë dorëzuar raketa lundrimi me rreze veprimi prej rreth 250 kilometrash.

