Papa Françesku: Bota është copëtuar
Në ceremoninë liturgjike ”Via Crucis” në Koloseum, papa Françesku, jo pa dhimbje, tha se ”bota është copëtuar”.
Mbrëmjen e djeshme ”Via Crucis” tradicionale është riti më i përzemërt i së Premtes së Madhe.
Tekstet e meditimeve u përgatitën nga vetë papa Françesku, ndërsa lutja u drejtua nga famullitari i Romës, kardinali Baldo Reina, i deleguar nga vetë Ati i Shenjtë.
Një botë copë-copë, një botë e hedhur poshtë dhe ekonomia që vret janë në qendër të meditimeve që papa Françesku përgatiti për ”Via Crucis”.
Ky është viti i tretë radhazi, pa ndonjë surprizë të minutës së fundit, që papa, për arsye shëndetësore, nuk mund të kryesojë ritin, edhe sepse ai u zhvillua jashtë dhe në mbrëmje.
Një gjendje e vështirë për një papë, i cili, përveç shtrimit të fundit në spital, ka pasur gjithmonë një farë brishtësie në rrugët e frymëmarrjes.
Dhimbja për një botë që ka nevojë për paqe dhe që shpesh nuk njeh vëllazëri ishte filli i përbashkët i lutjeve të përgatitura nga papa për të Premten e Madhe.
Por, ka vend edhe për një thirrje për unitetin e kishës dhe për rolin që gruaja ka në historinë e krishterë.
Para ”Via Crucis”, në Bazilikën e Shën Pjetrit u kremtua riti i Pasionit, i kryesuar nga kardinali Claudio Gugerotti, i deleguar edhe nga papa Françesku.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, gruaja e tij Usha dhe tre fëmijët e tyre.
”Në një botë copë-copë ka nevojë për lotë të sinqertë, jo lot sipas rrethanave”, shkruan Papa në tekstet e ”Via Crucis”.
“Jezus… na sill të gjithëve në paqen e Shabatit dhe do të ketë paqe mbi popullin tënd dhe midis gjithë kombeve”, shtoi ai.
Në ngjarjen e mbrëmshme kishte edhe punonjës shëndetësorë, emigrantë, persona me aftësi të kufizuara dhe vullnetarë që e kaluan kryqin dorë më dorë.
Në meditimet e tij, papa Françesku thekson më tej se “një ekonomi ku 99 vlen më shumë se një është çnjerëzore. E megjithatë, ne kemi ndërtuar një botë që funksionon kështu, një botë llogaritjesh dhe algoritmesh, logjike të ftohtë dhe interesash të paepura”.
”Duhet të refuzojmë një ekonomi që vret dhe flak dhe që i konsideron njerëzit si numra. Kundër ferrit, ekziston ekonomia e Zotit që nuk vret, nuk hedh, nuk dërrmon”, tha ai.


