KANADA/ Katër liderët e partive kryesore përballen në debatin e fundit përpara zgjedhjeve të përgjithshme
Katër liderët e partive kryesore federale të Kanadasë u përballën në debatin e tyre të fundit përpara zgjedhjeve të përgjithshme të këtij muaji, por vëmendjen kryesore e mori një figurë jashtë skene – Presidenti i SHBA, Donald Trump.
Lideri liberal Mark Carney, që kryeson sondazhet dhe është relativisht i ri në skenën politike, u vu në qendër të kritikave nga tre rivalët e tij qw e akuzuan se nuk është shumë ndryshe nga paraardhësi i tij i papëlqyer, Justin Trudeau.
Një nga temat më të debatuara ishte mënyra si Kanadaja duhet të reagojë ndaj luftës tregtare me SHBA-në dhe tarifave të vendosura nga administrata Trump. Deri më tani, qasja ka qenë tarifë për tarifë, por Carney propozoi një ndryshim strategjie, duke theksuar se ekonomia amerikane është 10 herë më e madhe. Ai u shpreh për tarifa më të zgjedhura, që dëmtojnë SHBA-në pa prekur rëndë Kanadanë.
Trump ka zbutur së fundmi tonin ndaj Kanadasë, ndërsa bisedimet për sigurinë dhe tregtinë pritet të rifillojnë pas zgjedhjeve të 28 prillit.
Debati preku gjithashtu temat që shqetësojnë drejtpërdrejt kanadezët: kriza e strehimit, inflacioni, siguria dhe emigracioni. Poilievre u shfaq si përfaqësues i shtetit minimal, taksave të ulëta dhe ashpërsisë ndaj krimit. Singh kërkoi investime më të mëdha në kujdesin shëndetësor, ndërsa Carney përfaqësoi një qasje të moderuar, duke theksuar se “qeveria duhet të jetë katalizator, jo zëvendësues.”
Me garën e përqendruar mes liberalëve dhe konservatorëve, partitë e treta si NDP dhe Bloc luftojnë për të ruajtur relevancën
Megjithë përplasjet e shpeshta verbale, debati u karakterizua nga një ton i civilizuar. Edhe në momentet më të nxehta, liderët ruajtën respektin. Carney dhe Poilievre u panë duke shtrënguar duart dhe qeshur pas debatit.

