VIDEO/ “Qeveri të korruptuarish”, Rama - komentuesit: Ti e ke parë kryeministrin që vr*ste njerëz, apo President që e çonte vendin në humnerë

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me rubrikën “Sy m’sy” ku u përgjigjet qytetarëve nëpërmjet komenteve në rrjetet sociale.

Duke iu përgjigjur komenteve të një qytetari mbi nivelit e lartë të korrupsionit në kabinetin e tij qeveritar dhe në nivelin e bashkive, Rama i solli në vëmendje ngjarjet e viteve më parë që prodhoi demonstrata e dhunshme e 21 janarit apo shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.

“Po mirë ti që më thua a i kam parë po të pyes unë, a i ke parë kur poshtë zyrës së kryeministrit vriteshin njerëz të pafajshmëm vetëm e vetëm se protestonin. Nuk i ke parë në filma, por këtu poshtë zyrës time që është godina e Kryeministrisë.

A i ke parë se si shkatërroheshin jetë njerëzish dhe prona të qytetarëve nga një qeveri.

A e ke parë Presidentin që e çoi vendin në humnerë.

Pra, ne nuk kemi bërë asgjë më shumë vetëm i kemi dorëzuar shpatën e drejtësisë institucioneve të drejtësisë.

Ti mendon se kur ia dhamë shpatën në dorë nuk e dinim ne që do të goditeshin edhe majtas”, u shpreh kryeministri Rama.

Rama u shpreh se në lidhje me akuzat për ndikimin në shpopullimin e vendit duke u detyruar shqiptarët të ikin jashtë vendit, Rama u shpreh se kjo nuk është absolutisht e pavërtetë, pasi valë largimesh në vendin tonë ka pasur gjithmonë, edhe kur PS nuk ka qenë në pushtete.

“Po të shohësh të gjithë trajektoren e lëvizjes së shqiptarëve është e qartë se kur e si ka ndodhur. Kjo është si ajo shprehja” shpif se diçka do të mbetet””, tha ai.

Kreu i socialistëve shtoi se gjithçka e premtuar për mandatin e katërt nuk është një premtim për arsye elektorale, por pjesë e një plani të qartë pune. Sipas tij e vetmja ëndërr është ajo e anëtarësimit në BE.

“Ne nuk bëjmë premtime elektorale sepse në aspektin e punëvë ne japim informacion, janë pjesë e planeve tona qeverisëse, jo ëndrrave, ëndërr kemi vetëm një dhe ai është anëtarësimi në BE. Nuk janë premtime që hajt marrim një herë votën dhe më pas shohim e bëjmë”, tha ai.