Berisha: Brenda vitit të parë të qeverisjes do rrisim me 5 herë subvencionet për fshatin dhe fermerët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte në një takimin elektoral në njësinë nr.15, teksa ka prezantuar edhe programin për fshatin.

Berisha: Së pari ju përshëndes ju përzemërsisht, dhe përshëndes gjithashtu me nderimin më të madh, të gjithë banorët e Vaqarritit, Prezës dhe Ndroqit.

Është kënaqësi e madhe që ju takoj sot.
Përshëndes Belindin, udhëheqësin politik të qarkut Tiranës, kryetarin tuaj të degës, Florin dhe dy kandidatët tuaj, zonjën Kalaja dhe zotin Aga, përfaqësues dinjitoz tuaj, të Tiranës dhe Shqipërisë.

Kam kënaqësi që ju takoj ju sot për të paraqitur programin tonë. Çfarë kemi ne ndërmend dhe çfarë zotohemi ne në mënyrë solemne para jush që do të bëjmë gjatë 4 viteve që vijnë.

Në rast se vështrojmë këto 12 vite të Edi Ramës, fshati shqiptar është ai që përjetoi dhe provoi pasojat më të rënda të këtij regjimi.

Këto pasoja jashtëzakonisht të rënda filluan me të ashtëquajturën reformë e qeverisë vendore, ku ju humbët shërbimet që kryheshin në komunë dhe e tëra kjo ju la ju, pa shërbimet që meritoni.

Krijoi pas saj grupe të papërgjegjshme të emëruar dhe të pazgjedhur nga ju, të cilët nuk i jepnin kujt llogari përveç xhepit të tyre. Me reformën e quajtur territoriale, ju dha një goditje shumë e rëndë qeverisjes vendore, qeverisjes së qytetarëve, e cila kishte misione shumë të rëndësishme për zhvillimin e zonave.

Unë mund të ju them një aspekt. Gjatë viteve 2005-2013, ne kishim një raport me komunat e vendit dhe ky raport ishte i tillë. Bëni ju projektet ne të ua financojmë. Dhe kjo funksionoi në mënyrën më të mirë.

Qeveritë vendore projektonin rindërtimin e rrugës, rindërtimin e objekteve, ndërtimin e tyre, qeveria qendrore financonte.
Mund të ju them ju këtu se 2005-2013, se 2/3 e të gjitha investimeve të bëra në Shqipëri janë bërë në fshat.

Pse? Fshati për infrastrukturë ishte mesjetë, në kuptimin që rrugët ishin të paasfaltuara kudo. Po rrugë të paasfaltuara fshati ka pasur edhe në mesjetë, sepse kalonin qerret, etj. Ishin pa sisteme kanalizime, pa ujësjellësa, ishin me shkolla të rrënuara dhe ne investuam.

Mund të ju them se, shumë më tepër u investua në ato vite në rrugët rurale të marra së bashku, se sa në rrugët kombëtare të ndërtuara nga Hani i Hotit gjer në Gjirokastër.

Pse kjo? Ne kishim dhe kemi një filozofi, fshati, fshatari duhet të gëzojë të njëjtën infrastrukturë, pra të njëjtën rrugë, të njëjtin furnizim me ujë, të njëjtin furnizim me energji elektrike, të njëjtat kanalizime, të njëjtën shkollë si lagjja e qytetit.

Të shpallje një vendim të tillë, të dukej një gjë e vështirë, por absolutisht ishte plotësisht e mundshme. Dhe me këtë projekt ne ndërtuam dhe rindërtuam në zonat rurale 8300 kilometra rrugë.

Në këtë projekt ne ndërtuam dhe rindërtuam, 800 e ca shkolla, ne ndërtuam rreth 500 qendra shëndetësore.
Pra ne po punonim fort në këtë parim, që fshatarët aty ku jetojnë të kenë infrastrukturën që ka lagjja e qytetit.

Natyrisht atyre u mbetet barra e madhe e punës në bujqësi, femrave, menaxhimit të tyre, por shteti do të bëjë gjithçka për ta lehtësuar.

Vendosëm një sistem subvencionesh dhe ju jeni dëshmitarë që u subvencionuan ullinjtë, prodhimi, bagëtitë, lopët e me radhë. Të gjitha këto në tërësi u hoqën. Është e paimagjinueshme se kudo që shkoj, fshatarët më thonë se, në zonën tonë nuk është shtruar një kilometër rrugë.

Është një injorim, një përjashtim total, ndërkohë që ju, që të gjithë pa përjashtim, në çdo gotë ujë që pini, në çdo kafshatë që hani, paguani taksën TVSH 20%, e keni paguar në dyqan kur e keni blerë.
Pra taksat tuaja nuk u kthyen asnjë qindarkë tek ju.

Cili është programi ynë? Programi ynë është paratë tek qytetari. E thjeshtë fare.
Thjeshtë fare. Paratë ne do të ja kthejmë qytetarit dhe ju garantoj se projekti ynë për fshatin do të vazhdojë me intensitet të madh.

Por siç e keni dëgjuar ndoshta, ne e fillojmë nga ajo që e quajmë, zemra e dhimbsur. Ne e fillojmë tek ata që janë në mjerim, në varfëri ekstreme.

Ne e fillojmë tek ata të cilët marrin siç e thatë këtu, 70-80-100 mijë lek, paçka se kanë shkrirë gjithë jetën e tyre në punë.
Dhe kemi se çdo shqiptar, në fshat apo në qytet, kudo që të jetë do marrë minimumin jetik 200 euro për frymë. Cilido që të jetë pensioni në fshat ndën 200 euro, do jetë 200 euro dhe kjo do të ndodhë 3 muaj e parë të qeverisjes tonë.

Jo vetëm kaq, por do ketë kartën e konsumatorit e cila i jep mundësi atij të marrë mbrapsh TVSH 20% të atyre shpenzimeve që bën për ushqimet bazë dhe mallrat që blen.

Ju siguroj se, do të ndalohet dhe ndëshkohet rëndë, shitja në tregjet e Shqipërisë, të çdo ilaçi qoftë për njerëzit, qoftë për tokën, qoftë për bagëtinë që nuk tregtohet në dy vende të BE-së.

Ne do ta nisim nga disa gjëra bazë të cilat na japin sigurinë, dinjitetin. Se nëqoftëse ti e trajton tjetrin, ka shkrirë jetën e tij në punë dhe i thua, merr kaq 16 mln euro për 760 mijë pensionistë, ti tallesh me ta me cinizëm.

Po pse të tjerët paskan ku ti marrin e ti nuk paske ku ti marrësh. Pse kryeministri i Kosovës, jep 100 mln euro për pensionistët dhe ka gjysmën e pensionistëve të Shqipërisë dhe gjysmën e buxhetit të Shqipërisë.
Çfarë ndodhi? Në vitin 2013, pensioni mesatar në Shqipëri ishte 143 mijë lek.

Pensioni mesatar në Mal të zi ishte 138 mijë lek. Sot pensioni mesatar në Mal të Zi është 450 mijë lek.
Po si u rritën, si erdhi kjo. Po sigurisht kryeministri i Malit të Zi, mori para nga buxheti dhe i vuri për pensionistët. Nuk u tha atyre se kaq është fondi dhe rrini me këtë.

Nuk e bën njeri këtë, nuk e bëmë ne.
Ju jeni dëshmitar. Erdhëm, e gjetëm pensionin minimal në fshat 36 mijë lek. E rritëm 82 mijë lek, i morëm nga buxheti dhe i vumë tek fondi i pensioneve. Dhe prap ne do i marrim dhe do i vemë në fond të pensioneve.

Çfarë ndodh tjetër me ju?
Subvencionet. Çdo shtet, absolutisht çdo shtet subvencionon fermerin, i jep para në dorë për atë që mbjell, që korr, për bagëtinë që mbarështron, për fidanët që mbjell.

Dhe asnjë shtet nuk humbet nga kjo. Jo. Ato kthehen në prodhim, mirëqenie, kthehen për familjet, për shoqërinë.
Ky subvencionin vetëm që bëri, hapi kufijtë për Serbinë me ‘Ballkanin e Hapur’ se tha pret kamioni aq e kaq, marrëzira dmth. Dhe mallrat e Shumadisë, prodhimet e Banatës, që kanë të paktën 8 herë më shumë subvencione se Shqipëria, vërshojnë në Shqipëri.

Natyrisht fermeri shqiptar me një fermer që subvencionohet 8 herë më shumë, cilido qoftë ai, nuk ja del ta përballojë. I del me çmim shumë më të lartë.

Bëri dhe tjetrën. Grumbulluesve ju vuri TVSH asimetrike në mënyrë që ata të blinin prodhimet e importuara dhe jo të vendit.
Dhe tani, këto bënin që mijëra kuintal e tonelata mallra vendi të kalben dhe fermeri të mos mbjellë më, të iki, të largohen, të falimentojë.

Me mijëra ferma, më mijëra sera. Prodhimi bujqësor ka rënë.
Çfarë do bëjmë ne?

Ne vitin e parë jemi këtu, ua jap fjalën që subvencionin për ju do ta ngremë në nivelin e Maqedonisë, Kosovë, Mal i Zi dhe Serbisë, nivel që është 5 herë më i madh se ky sot.
Do subvencionojmë çdo fidan që mbillni.

Do subvencionojmë çdo lopë, dele, apo dhi.
Do subvencionojmë çdo njësi prodhimi që merrni nga toka juaj.
Taksa për grumbulluesit merr fund, do jetë simetrike si në shitje dhe blerje, çka do thotë ju do merrni mbrapsh TVSH e shitjes dhe nuk do e marrin grosistët.

Do e merrni ju se është e juaja. Është pra një sistem krejt tjetër ky.
Për ne nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa fshat të zhvilluar.

Nuk ka Shqipëri të zhvilluar me fshat të braktisur.
Nuk ka tokë më pjellore se sa toka e Shqipërisë, është nga më të mirat që ekziston.

Të tjerët e kthejnë shkretëtirën në tokë pjellore.
Këta tokën pjellore e kthejnë në shkretëtirë. Kjo është e vërteta.