Skema Kombëtare në Bujqësi, hapen sot aplikimet për tetë masa mbështetëse
Nga sot të gjithë fermerët që kanë një NIPT, apo grupe fermerësh, mund të aplikojnë për të përfituar subvencione nga skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi 2025.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bën të ditur se, fermerët mund të aplikojnë deri më 30 maj për të përfituar subvencione në tetë masa: Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të gjedhëve; për tufën bazë të matrikulluar të të imtave; mbarështim i bletarisë; mbështetje për fara, fidanë dhe inpute të tjera; për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike; për fermat organike; certifikimi Global GAP; mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, të rrisë prodhimin vendas dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në treg.
Njëkohësisht, risi këtë vit është masa e financimit për të gjithë fermerët dhe blegtorët, që mbarështojnë viça për majmëri. Masa financiare për viçat do të jetë 5 mijë lekë për kokë, ndërsa mbështetja me financim për lopët do të jetë 10 mijë lekë për kokë.
Sipas njoftimit nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, aplikimi kryhet online përmes portalit e-Albania, nga data 14 prill, ora 08:00 deri më 30 maj, ora 24:00.
