“Lufta” për talentet, si po i motivojnë kompanitë shqiptare punonjësit

Në vitet e fundit, Shqipëria është përballur me një realitet të ri dhe të vështirë: mungesën e fuqisë punëtore. Një kombinim faktorësh, nga emigrimi masiv i të rinjve drejt vendeve të BE-së, deri te mundësitë gjithnjë e më të mëdha të punësimit online, po krijon një boshllëk të ndjeshëm në tregun e punës.

Kompanitë, të cilat dikur kishin mundësi të zgjidhnin mes një grupi të madh kandidatësh të kualifikuar, sot po përballen me vështirësi në gjetjen dhe mbajtjen e stafit cilësor.

Në këtë kontekst, format e motivimit dhe angazhimit të stafit janë kthyer në prioritet për kompanitë që synojnë të ruajnë stabilitetin dhe produktivitetin. Nëse më parë, pagesa konkurruese ishte faktori kryesor që i mbante punonjësit të lidhur me një kompani, sot, nevojat dhe pritshmëritë e tyre kanë ndryshuar.

Ata kërkojnë jo vetëm paga më të larta, por edhe një mjedis pune më të mirë, mundësi zhvillimi profesional, fleksibilitet dhe një kulturë korporative që i vlerëson dhe i mbështet.

Por, sa të përgatitura janë bizneset shqiptare për të përballuar këtë realitet të ri? Cilat janë strategjitë që po përdorin për të parandaluar eksodin e talenteve dhe për të krijuar një mjedis ku njerëzit duan të qëndrojnë dhe të kontribuojnë?

Një sfidë në rritje

Sipas të dhënave të INSTAT dhe analizave të ndryshme ekonomike, tregu i punës në Shqipëri po përballet me një deficit të madh të fuqisë punëtore. Bizneset në sektorë kyç si tregtia, ndërtimi, teknologjia dhe shërbimet raportojnë vështirësi të mëdha në gjetjen dhe mbajtjen e punonjësve të kualifikuar.

Arsyeja kryesore mbetet emigrimi. Çdo vit, mijëra të rinj shqiptarë largohen drejt vendeve të BE-së në kërkim të kushteve më të mira të punës dhe jetesës. Tranzicioni demografik në Shqipëri po zhvillohet për më shumë se tre dekada ku largimet nga vendi janë më shumë se kthimet.

Emigrimi i moshave të reja ka krijuar hendek në forcën punëtore të vendit dhe po bëhet pengesë për zhvillimin e disa sektorëve si bujqësia dhe turizmi. Rezultatet e fundit të Censit 2023 treguan se popullsia e vendit u tkurr me rreth 14.8% ndërmjet 2011 dhe 2023, duke zbritur në 2.4 milionë, teksa mosha mesatare gjatë kësaj periudhe u rrit me 7.5 vite.

Platforma të punësimit online si Upwork, Fiverr dhe Toptal po u mundësojnë profesionistëve shqiptarë të punojnë për kompani ndërkombëtare pa pasur nevojë të largohen nga vendi.

Kjo ka krijuar një boshllëk të madh në tregun vendas, duke e bërë më të vështirë për kompanitë shqiptare të mbajnë stafin e tyre më të aftë. Konkurrenca rajonale është gjithashtu një faktor i rëndësishëm./ Monitor.al